Takimi me Mitsotakis, Rama nga Athina: Synojmë kapitull të ri në marrëdhëniet me Greqinë

Kreu i qeverisë shqiptare thekson se aktualisht fokusi kryesor është zgjidhja e çështjeve të mbartura ndër vite dhe ndërtimi i një kuadri të ri bashkëpunimi mes dy shteteve.

22.04.2026. 11:39

Takimi me Mitsotakis, Rama nga Athina: Synojmë kapitull të ri në marrëdhëniet me Greqinë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Athinë, ku është takuar me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Pas bisedws, Rama ka publikuar disa fotografi në rrjetet sociale, duke dhënë edhe një mesazh mbi rëndësinë e dialogut mes dy vendeve.

Në reagimin e tij, Rama e cilëson marrëdhënien me Mitsotakis si një lidhje të ndërtuar mbi komunikim të drejtpërdrejtë dhe respekt të ndërsjellë, pavarësisht sfidave që kanë shoqëruar herë pas here raportet shqiptaro-greke. “Na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona”, shkruante Rama, duke nënvizuar se dy qeveritë kanë pasur gjithmonë një komunikim të hapur edhe në situatat më të ndërlikuara.

Kreu i qeverisë shqiptare thekson se aktualisht fokusi kryesor është zgjidhja e çështjeve të mbartura ndër vite dhe ndërtimi i një kuadri të ri bashkëpunimi mes dy shteteve. “Po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve”, shprehet Rama, duke shtuar se synimi është që ky vit të mbyllet me një zhvillim të rëndësishëm diplomatik.

Sipas tij, Shqipëria dhe Greqia janë drejt finalizimit të një marrëveshjeje të re, që do të shërbejë si bazë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në të ardhmen. “Për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, e përfundonte Rama në mesazhin e tij.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)