“Shqyrtohet pezullimi i Spanjës nga NATO”, Reuters zbulon planin e Pentagonit: Përgjigje ndaj aleatëve

Një e-mail i shpërndarë në nivele të larta të Departamentit amerikan të Mbrojtjes përmbledh disa skenarë ndëshkues, përmendet edhe largimi i disa vendeve nga pozicione kyçe brenda strukturave drejtuese.

24.04.2026. 09:09

“Shqyrtohet pezullimi i Spanjës nga NATO”, Reuters zbulon planin e Pentagonit: Përgjigje ndaj aleatëve

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësi të reja për të rritur presionin ndaj disa vendeve anëtare të NATO-s, të cilat Uashingtoni i konsideron të pamjaftueshme në mbështetjen e operacioneve amerikane në konfliktin me Iranin. Kjo bëhet e ditur nga Reuters, që citon një dokument të brendshëm të Pentagonit.

Sipas raportimit, një e-mail i shpërndarë në nivele të larta të Departamentit amerikan të Mbrojtjes përmbledh disa skenarë ndëshkues, mes të cilëve përmendet edhe ideja e pezullimit të pjesëmarrjes së Spanjës në NATO.

Në të njëjtin dokument, si alternativë presioni, diskutohet edhe mundësia e ndryshimit të qëndrimit amerikan ndaj çështjes së ishujve Falkland, territor për të cilin Mbretëria e Bashkuar ka pretendime të hershme.

Burime të Reuters bëjnë me dije se shqetësimi kryesor i Pentagonit lidhet me refuzimin e disa aleatëve për t’i dhënë SHBA-së akses strategjik, të drejta bazash dhe leje për fluturime mbi territorin e tyre, elementë që sipas Uashingtonit konsiderohen të domosdoshëm për funksionimin e aleancës.

Një tjetër propozim që përmendet në diskutime është edhe largimi i disa vendeve nga pozicione kyçe brenda strukturave drejtuese të NATO-s, si formë presioni ndaj atyre që konsiderohen “problematikë”.

Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur kritikat ndaj aleatëve të NATO-s, duke i akuzuar se nuk po kontribuojnë në mënyrë të barabartë. Zëdhënësi i Pentagonit, Kingsley Wilson deklaroi se SHBA synon të ketë në dispozicion alternativa të besueshme për t’i detyruar aleatët të marrin përgjegjësitë e tyre, duke shtuar se nuk do të ketë komente të tjera mbi diskutimet e brendshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)