Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, shoqëruar me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit dhe ndërprerjen e furnizimeve me naftë dhe gaz nga vendet e Gjirit Persik, ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve. Europa i sheh me shqetësim zhvillimet, sepse kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në çmimet e produkteve ushqimore.
Në Itali, shoqata e konsumatorëve ka publikuar përllogaritjet e shtrenjtimit të ushqimeve, që ka ardhur pasi pjesa më e madhe e transportit realizohet me rrugë tokësore dhe kostot e shpërndarjes varen nga çmimi i naftës dhe benzinës. Një studim i bazuar në të dhënat e Istat, evidentoi produktet që kanë pësuar rritjen më të madhe të çmimeve gjatë muajit të fundit.
Patëllxhani dhe bizelet kryesojnë rritjen e çmimeve
Sipas të dhënave, rritjen më të fortë e kanë shënuar patëllxhani, me një rritje prej 21,5% në baza vjetore. Në vend të dytë renditen bizelet, të cilat janë rritur me 19,6%.
Shtrenjtim edhe për kungujt, domatet dhe frutat e pyllit
Në listën e produkteve me rritje të lartë përfshihen edhe frutat e pyllit si boronicat, mjedrat, manaferrat dhe rrushi i zi, me një rritje prej 16,3%. Kungujt kanë shënuar një rritje prej 11,1%, limonët 10,8%, luleshtrydhet 10,4%, bishtajoret 9,9%, ndërsa domatet janë rritur me 9%.
Rritje çmimesh edhe për mishin dhe vezët
Shtrenjtimi ka prekur edhe produkte të tjera të rëndësishme të shportës ushqimore. Angjinaret janë rritur me 8,8%, vezët me 8,5%, mishi i viçit me 8,4%, ndërsa mishi i deles me 7,2%. Po ashtu, lulelakra dhe brokoli janë rritur me 7,2%, agrumet me 6,6%, dhe specat me 6,4%.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)