Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka mbërritur në Davos rreth orës 14:00 pas një vonese për shkak të një problemi me avionin presidencial “Air Force One” që do ta transportonte atë për në Zvicër.
Pasi mbërriti në ambientet ku po zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror, shefi i Shtëpisë së Bardhë nisi fjalën e tij duke evidentuar armiqtë.
"Është mirë që të kthehem në Davosin e bukur, në Zvicër, dhe t'u drejtohem kaq shumë udhëheqësve të respektuar të biznesit, kaq shumë miqve dhe pak armiqve", tha ai në nisje të fjalimit duke e shoqëruar ironinë e tij me një buzëqeshje.
Më pas Trump nuk humbi kohë dhe lëshoi breshërinë e parë të sulmit ndaj Europës dhe liderëve të kancelarive kryesore. “E dua Europën, por nuk po shkon në drejtimin e duhur. Unë dua që Europa dhe Britania e Madhe të bëjnë mirë”, tha presidenti i SHBA-së.
Ai gjithashtu kritikoi BE-në dhe paraardhësin e tij Joe Biden, duke thënë se “u bë mençuri konvencionale në Uashington dhe kryeqytetet evropiane me idenë se ekonomia mund të rritet vetëm përmes shpenzimeve qeveritare gjithnjë në rritje, migrimit masiv të pakontrolluar dhe importeve të pafundme të huaja".
“Rezultati ishte deficit rekord buxhetor dhe tregtar dhe një deficit i borxhit sovran në rritje, i nxitur nga vala më e madhe e migrimit masiv në historinë e njerëzimit", theksoi Trump.
Pasi renditi arritjet e supozuara të qeverisë së tij, presidenti amerikan sërish u ndal tek Europa duke thënë: "Vendet nga vini mund të bëjnë shumë më mirë duke ndjekur atë që po bëjmë ne, sepse vende të caktuara në Evropë nuk po i njoh më. E dua Evropën dhe dua ta shoh Evropën të bëjë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur".
“A doni të them nja dy fjalë për Groenlandën?”, pyeti më pas me ironi Presidenti i SHBA, duke hyrë në temën më të nxehtë të momentit me një vlerësim për popullin që jeton në ishullin Arktik.
“Kam respekt të madhe për njerëzit e Groenalndës dhe Danimarkës. Por çdo aleat i NATO-s ka obligim të mbrojë territoret e veta. Fakti është se asnjë komb apo grup kombesh nuk është në gjendje të sigurojë Groenlandën përveç Shteteve të Bashkuara. Ne jemi një superfuqi, më e madhe seç njerëzit e imagjinojnë. Groenlanda është një territor i gjerë, pothuajse tërësisht i pabanuar dhe i pazhvilluar, i pambrojtur në një vendndodhje kyçe strategjike midis Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës. Ka kaq shumë tokë të rrallë, dhe për të marrë këtë tokë të rrallë, duhet të kalosh nëpër qindra metra akull. Kjo nuk është arsyeja pse na duhet, na duhet për sigurinë kombëtare strategjike dhe sigurinë ndërkombëtare. Ky ishull i madh i pasiguruar është në fakt pjesë e Amerikës së Veriut në kufirin verior të Hemisferës Perëndimore, ky është territori ynë”, deklaroi Trump.
Sa i përket Venezuelës, Trump tha se vendi do të fitojë më shumë para në gjashtë muajt e ardhshëm sesa në 20 vitet e fundit, duke premtuar një bum të shitjeve të naftës.
Ai shtoi se pas kapjes së Nicolas Maduros udhëheqësit e rinj venezuelianë kanë bashkëpunuar me SHBA-të.
"20 vjet më parë ishte një vend i shkëlqyer dhe tani ka probleme, por ne po i ndihmojmë ata. Venezuela do të shkojë fantastikisht mirë. Çdo kompani e madhe nafte po vjen me ne, është e mahnitshme. Pasi përfundoi sulmi ata thanë: 'Le të bëjmë një marrëveshje'. Venezuela do të fitojë më shumë para në gjashtë muajt e ardhshëm sesa kanë fituar në 20 vitet e fundit. Është një gjë e bukur për t'u parë dhe udhëheqja e vendit ka qenë shumë e mirë. Ata kanë qenë shumë, shumë të zgjuar”, deklaroi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)