Trump dhe NATO drejt marrëveshjes për Groenlandën, Danimarka e hapur për dialog mbi "Kupolën e Artë"

Sovraniteti territorial i Danimarkës është një "vijë e kuqe", por Kryeministrja Mette Frederiksen është e hapur për negociata me Donald Trump sa i përket çështjes së Groenlandës dhe shfrytëzimit të ishullit për ngritjen e "Kupolës së Artë".

22.01.2026. 09:33

Trump dhe NATO drejt marrëveshjes për Groenlandën, Danimarka e hapur për dialog mbi "Kupolën e Artë"

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se Danimarka dhe Groenlanda  do të vazhdojnë të angazhohen në një dialog konstruktiv mbi sigurinë e Arktikut, me kusht që të respektohet integriteti territorial i vendit të saj.

"Mbretëria e Danimarkës dëshiron të vazhdojë një dialog konstruktiv me aleatët e saj se si mund ta forcojmë sigurinë në Arktik, përfshirë 'Kupolën e Artë', me kusht që kjo të bëhet duke respektuar integritetin tonë territorial", tha ajo.

Kryeministrja daneze theksoi se kishte koordinuar përpjekjet e saj me qeverinë e Groenlandës gjatë gjithë diskutimit.

“Ne kemi mbajtur një dialog të ngushtë me NATO-n dhe unë vetë kam folur rregullisht me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, veçanërisht para dhe pas takimit të tij me Presidentin Trump në Davos”, shpjegoi ajo.

Frederiksen tha se NATO është plotësisht në dijeni të qëndrimit të Danimarkës dhe se ajo është informuar se bisedimet e Rutte nuk përfshijnë sovranitetin kombëtar të vendit të saj.

"Siguria në Arktik është një çështje për të gjithë aleancën e NATO-s. Prandaj është mirë dhe e natyrshme që ajo të jetë objekt diskutimesh midis Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe Presidentit të SHBA-ve", tha kryeministrja daneze në një deklaratë.

Trump në fjalimin e tij  në Forumin Ekonomik të Davosit u tërhoq nga një kërcënim për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane për shkak të qëndrimit të tyre ndaj Groenlandës, ndërsa njoftoi se kishte rënë dakord për skicën e një marrëveshjeje me NATO-n mbi të ardhmen e ishullit të madh Arktik.

Përveç kësaj, Trump përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës për të pushtuar Groenlandën nga SHBA-të, por kërkoi që të fillojnë "negociata të menjëhershme" që Amerika të shtrijë kontrollin mbi këtë territor autonom danez.

Pas takimit të Trump me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti amerikan tha se SHBA-të dhe aleatët e saj evropianë do të bashkëpunojnë në zhvillimin e mburojës antiraketë "Kupola e Artë" dhe në nxjerrjen e mineraleve në Grenlandë, duke bllokuar ambiciet e Rusisë dhe Kinës, bazuar në draft-marrëveshjen që ai arriti me sekretarin e përgjithshëm të Aleancës Atlantike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)