Buxhet 500 milionë euro, Italia zgjat deri më 1 maj uljen e akcizave të karburanteve

Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi vendimin si të domosdoshëm, do të vazhdojë të monitorojë me kujdes zhvillimet ndërkombëtare dhe të ndërmarrë masa për të mbrojtur familjet, bizneset dhe punësimin.

03.04.2026. 18:18

Buxhet 500 milionë euro, Italia zgjat deri më 1 maj uljen e akcizave të karburanteve

Qeveria italiane ka dhënë dritën jeshile për dekretin e ri për karburantet, duke zgjatur uljen e akcizës deri më datë 1 maj. Vendimi u mor brenda pak minutash gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti bëri të ditur se për financimin e kësaj mase janë vënë në dispozicion 500 milionë euro.

Sipas tij, 200 milionë euro mbulohen nga rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, ndërsa 300 milionë të tjera vijnë nga fondet rezervë, të pashfrytëzuara më parë. Dekreti parashikon gjithashtu masa specifike për sektorin bujqësor, si dhe mbështetje për ndërmarrjet eksportuese përmes instrumenteve financiare. Po ashtu, ai përfshin marrëveshjen me shoqatat dhe kategoritë ekonomike në kuadër të programit “Tranzicion 5.0”.

Gjatë konferencës për shtyp, Giorgetti paralajmëroi se situata ndërkombëtare, veçanërisht tensionet e lidhura me Iranin, mund të ndikojnë si në politikat monetare ashtu edhe në ato fiskale. “Ngjarjet ndërkombëtare mund të kërkojnë ndërhyrje të tjera në një kontekst ekonomik mjaft kompleks”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi vendimin si të domosdoshëm. Në një reagim në rrjetet sociale, ajo theksoi se masa synon të përballojë një periudhë delikate, të ndikuar nga tensionet globale dhe rritja e kostove të energjisë. Meloni shtoi se qeveria italiane do të vazhdojë të monitorojë me kujdes zhvillimet ndërkombëtare dhe të ndërmarrë masa për të mbrojtur familjet, bizneset dhe punësimin.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)