Muaji prill në Itali pritet të shoqërohet me një valë grevash në sektorin e transportit, që mund të shkaktojnë vonesa dhe anulime në fluturime, trena, transport urban dhe lëvizje detare. Kalendari i publikuar nga Ministria e Transporteve në Itali parashikon protesta të shpërndara gjatë gjithë muajit, duke nisur nga e premtja e 10 prillit deri në fund të këtij muaji.
Kjo situatë prek drejtpërdrejt edhe shqiptarët, qofshin këta rezidentë apo turistë që kanë planifikuar udhëtime drejt Italisë në këtë periudhë, veçanërisht për pushime pranverore, vizita familjare apo udhëtime pune. Agjencitë paralajmërojnë se dita e nisjes apo kthimit mund të përkojë me ndërprerje shërbimesh, sidomos në aeroportet dhe stacionet kryesore.
DATAT KRYESORE TË GREVAVE NË ITALI GJATË PRILLIT
10 PRILL - Grevë në transportin ajror
Do të ndalen kontrollorët e fluturimeve për 4 orë, nga 13:00 deri në 17:00. Rreziku është i anulimeve të fluturimeve dhe vonesa në të gjithë Italinë. Në të njëjtën ditë parashikohet edhe grevë e personelit të sigurisë në aeroportet e Fiumicino-s dhe Ciampino-s në Romë.
11 PRILL - Grevë në hekurudha
Grevë 24-orëshe e punonjësve të mirëmbajtjes së infrastrukturës hekurudhore, e cila mund të sjellë probleme serioze në qarkullimin e trenave rajonalë dhe atyre të distancave të gjata.
13 PRILL - Transporti urban në Napoli
Puna do të ndalet për 4 orë.
17 PRILL - Grevë në sektorin detar
Ndalesë 8-orëshe në zonën e Ngushticës së Messina-s, që mund të ndikojë lëvizjen me tragete.
14-18 PRILL - Grevë në autotransport në Sicili
Protestë që mund të ndikojë shpërndarjen e mallrave dhe furnizimet në ishull.
19 PRILL - Grevë në Firence
Ndërprerje shërbimi në transportin lokal.
24 PRILL - Grevë në Milano, Monza dhe Como
Ndalesë 8-orëshe, që pritet të shkaktojë kaos në transportin urban dhe lëvizjet brenda rajonit të Lombardisë.
20-25 PRILL - Grevë kombëtare e autotransportuesve
Protestë në nivel kombëtar kundër rritjes së çmimit të karburantit, në mbi 2 euro për litër, që rrezikon vonesa në furnizime dhe probleme në logjistikë.
Shqiptarët që udhëtojnë drejt Italisë gjatë këtyre datave mund të përballen me vonesa 4-orëshe, radhë të gjata apo edhe anulime të fluturimeve. Gjithashtu do të ketë vonesa trenash dhe reduktim të linjave të transportit hekurudhor, vështirësi në transportin urban në qytetet turistike si edhe probleme me tragetet dhe lëvizjet detare.
Udhëtarët shqiptarë këshillohen të kontrollojnë paraprakisht njoftimet e kompanive ajrore, Trenitalia/Italo dhe transportit urban, si dhe të paraqiten më herët në aeroporte ose stacione. Prilli në Itali pritet të jetë një muaj me lëvizje të vështira dhe situatë të paqëndrueshme në transport, ndaj planifikimi dhe informacioni i përditësuar do të jenë vendimtarë për të shmangur problemet.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)