Paraburgimet plot pa vendime të formës së prerë, Gjykata e Lartë rishikon praktikën e masës “arrest me burg”

Shqipëria është një nga vendet me numrin më të lartë të paraburgosurve në Europë, kërkohet më shumë arsyetim si edhe masa alternative.

09.04.2026. 11:53

Paraburgimet plot pa vendime të formës së prerë, Gjykata e Lartë rishikon praktikën e masës “arrest me burg”

Gjykata e Lartë ka nisur zyrtarisht procedurën për rishikimin e praktikës gjyqësore mbi masën e sigurisë “arrest me burg” dhe kohëzgjatjen e saj, në një përpjekje për ta përafruar me standardet kushtetuese dhe ato të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Prej orës 09:30 të mëngjesit, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë mbledhur me iniciativë të kryetarit të institucionit, Sokol Sadushi.

Synimi është të ndryshohet praktika e unifikuar që zbatohet prej më shumë se një dekade, bazuar në vendimin unifikues nr.7, datë 14 tetor 2011. Sipas Sadushit, vendimet për masat e sigurisë duhet të jenë të arsyetuara, individuale dhe të plota, duke argumentuar qartë pse një person duhet të mbahet në burg dhe pse nuk mund të zbatohet një masë alternative.

Një nga ndryshimet kyçe lidhet me faktin se barra e provës nuk duhet të mbetet mbi të akuzuarin për të provuar pse duhet liruar, por mbi prokurorinë dhe gjykatën, të cilat duhet të sjellin prova konkrete për nevojën e paraburgimit. Gjykata e Lartë thekson se rrezikshmëria e një personi nuk mund të përcaktohet automatikisht vetëm nga vepra penale për të cilën akuzohet.

Foto: Gjykata e Lartë

Në këtë proces u përmendën edhe vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, si rastet “Hysa”, “Gëllçi” dhe “Muçaj” kundër Shqipërisë, ku vendi ynë është kritikuar për arsyetime të përgjithshme dhe jo të bazuara në prova konkrete. Në çështjen “Gëllçi”, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut theksonte se nuk mund të pranohet rreziku i manipulimit të provave pa fakte konkrete, ndërsa në çështjen “Hysa” kërkohet që vendimet për paraburgim të mbështeten në rrethana personale dhe të veçanta.

Një tjetër pikë e rëndësishme është kohëzgjatja e paraburgimit, ku sipas qasjes së re, për çdo zgjatje të masës “arrest me burg” gjykata duhet të japë argumente të reja, dhe jo të mbështetet vetëm te vendimi fillestar. Kjo nismë e Gjykatës së Lartë vjen në një kohë kur paraburgimet janë kthyer në një problem madhor në Shqipëri.

Foto: Gjykata e Lartë

Sipas të dhënave, në fund të vitit 2025, në burgjet shqiptare ndodheshin 4503 persona, prej të cilëve 2569, ose 57%, ishin të paraburgosur pa një vendim të formës së prerë. Këto shifra e rendisin Shqipërinë ndër vendet me numrin më të lartë të paraburgosurve në Europë, duke ngritur shqetësime serioze edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)