Rregullat e reja të Bashkimit Europian për kontrollin kufitar kanë shkaktuar kaos në aeroporte, duke sjellë vonesa të mëdha dhe duke lënë qindra pasagjerë të bllokuar.
Sipas raportimeve, sistemi i ri Entry/Exit (EES), që kërkon regjistrimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografimin e udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, ka krijuar radhë të gjata në pikat e kontrollit. Kontrollet shtesë gjatë hyrjes dhe daljes nga zona Shengen kanë bërë që shumë pasagjerë të presin me orë të tëra, deri në humbjen e fluturimeve.
Problemet janë raportuar në disa aeroporte të mëdha si Gjeneva, Lisbona, Maltë, Brukseli dhe Amsterdami, ku pritjet kanë arritur deri në dy orë. Në Milano, situata u përkeqësua nga temperaturat e larta, ku pasagjerë u raportuan se ndiheshin keq gjatë pritjeve të gjata.
Një rast konkret përfshin rreth 100 pasagjerë të kompanisë “easyJet” në aeroportin Linate, të cilët humbën fluturimin drejt Mançesterit pasi nuk arritën të kalonin në kohë kontrollin e pasaportave. Sipas kompanisë, vonesat ishin jashtë kontrollit të saj dhe lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e sistemit të ri.
Ekspertët e aviacionit e kanë cilësuar zbatimin e EES si problematik dhe të paorganizuar, duke paralajmëruar se situata mund të vazhdojë edhe për disa javë derisa sistemi të stabilizohet.
Pasagjerët janë këshilluar të paraqiten më herët në aeroport dhe të llogarisin kohë shtesë për procedurat, ndërsa autoritetet kufitare janë nën presion për të përmirësuar menaxhimin e fluksit dhe për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)