Libani jugor si Gaza, Izraeli shpall pushtimin: E mbajmë dhe pas luftës, do krijojmë zonë tampon!

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit ka thënë se një zonë tampon do të ngrihet brenda Libanit jugor dhe se Izraeli do të mbajë kontrollin e sigurisë mbi një pjesë të territorit, edhe pas përfundimit të luftës aktuale kundër grupit të armatosur Hezbollah.

Burimi: Sky News

01.04.2026. 09:59

Libani jugor si Gaza, Izraeli shpall pushtimin: E mbajmë dhe pas luftës, do krijojmë zonë tampon!

Izraeli ka bërë me dije se do të pushtojë një pjesë të Libanit jugor për të krijuar një "zonë tampon" kundër militantëve të Hezbollahut, duke nxitur frikën midis libanezëve për pushtimin ushtarak që mund të thellojë paqëndrueshmërinë dhe të nxisë zhvendosje të mëtejshme të banorëve vendas.

Më 4 mars, Tel Avivi urdhëroi të gjithë banorët në jug të lumit Litani të Libanit të largohen nga zona, dy ditë pasi Hezbollahu iu përgjigj sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit duke lëshuar raketa drejt Izraelit. Lumi rrjedh në lindje të Mesdheut rreth 30 km në veri të kufirit me Izraelin dhe prakitikisht rreth 8% e territorit libanez shtrihet në jug të lumit.

Trupat tokësore izraelite kanë ngritur fortifikime të reja në jug të lumit dhe kanë shkatërruar shtëpi në fshatrat e boshatisura, pasi Izraeli e sheh zonën si një fortesë për milicinë shiite të mbështetur nga Irani.

Por jugu historikisht ka qenë një rajon i larmishëm me fshatra të krishtera dhe sunite gjithashtu. Duke shënuar një përshkallëzim të planeve të Izraelit, Ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha më 24 mars se Izraeli kishte shkatërruar pesë ura mbi lum dhe se ushtria do të "kontrollojë urat e mbetura dhe zonën e sigurisë deri në Litani". Ai tha se trupat do të qëndronin atje për sa kohë që ka "terrorizëm dhe raketa".

Ndërkohë sot 8 ditë më pas, po Katz ka thënë se një zonë tampon do të ngrihet brenda Libanit jugor dhe se Izraeli do të mbajë kontrollin e sigurisë mbi një pjesë të territorit, edhe pas përfundimit të luftës aktuale kundër grupit të armatosur Hezbollah.

Israel Katz tha se më shumë se 600,000 banorëve të zhvendosur libanezë do t'u ndalohet "plotësisht" kthimi në atë zonë derisa të garantohet siguria e banorëve të Izraelit verior. Ai shtoi se të gjitha shtëpitë në fshatrat libaneze pranë kufirit izraelit do të shemben, "sipas modelit të Rafah dhe Beit Hanoun në Gaza".

Zëdhënësja e ushtrisë, Effie Defrin, tha po ashtu se IDF-ja e ka përcaktuar lumin Litani si "vijën veriore të sigurisë" dhe se Izraeli po "thellon operacionin e tij tokësor me qëllim parandalimin e zjarrit të drejtpërdrejtë në komunitetet veriore të vendit”.

Duke bërë komentet e tij të para mbi këtë temë, Kryeministri Benjamin Netanyahu tha më 25 mars se Izraeli po "zgjeron këtë brez sigurie për të mbajtur kërcënimin e armëve antitank larg qyteteve dhe territorit tonë". "Ne thjesht po krijojmë një zonë më të madhe tampon", tha ai.

Ushtria e Izraelit thotë se ka grumbulluar mijëra trupa në zonën kufitare dhe se trupat kanë kryer atë që e përshkruajnë si pushtim të kufizuar në territorin libanez. Plani ka tërhequr kritika nga OKB-ja, vendet evropiane dhe Kanadaja, të cilat e quajtën atë "një shkelje të sovranitetit territorial".

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)