Çmimi i naftës rrit biletën e transportit publik? Karakaçi: Subvencione operatorëve, taksa e qarkullimit nuk hiqet

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi tha sot pas mbledhjes së qeverisë se heqja e taksës së qarkullimit për të lehtësuar qytetarët nga barra e rritjes së çmimeve, si një masë kundër efekteve të luftës në Lindjen e Mesme, nuk ka gjasa të ndodhë.

01.04.2026. 14:10

Çmimi i naftës rrit biletën e transportit publik? Karakaçi: Subvencione operatorëve, taksa e qarkullimit nuk hiqet

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka dalë në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku ka prezantuar vendimet e marra dhe ka sqaruar qëndrimin e qeverisë lidhur me rritjen e çmimeve të karburanteve.

I pyetur nëse po shqyrtohet mundësia e heqjes së taksës së qarkullimit për të lehtësuar qytetarët nga barra e rritjes së çmimeve, ndikuar dhe nga lufta në Lindjen e Mesme, ministri u shpreh se nuk ka gjasë të merret një masë e tillë.

“Çdo shtet sot e ka taksën e qarkullimit, por është në varësi të shteteve përkatëse. Ka shtete që e mbajnë në taksën vjetore të mjeteve, ka vende si Shqipëria që vjelja e taksës së qarkullimit me çdo litër naftë, është menduar kështu sepse paguan më shumë kushdo që përdor më shumë karburant. Masat e marra deri tani janë krijimi i një Bordi Transparence për qytetarët, që nuk ka marrë ndonjëherë masa në dëm të qytetarëve. Implikimet fiskale nuk duhen prekur sidomos në kohë krize. Ministrja e Ekonomisë ka referuar planin e qeverisë për uljen e akcizës në rast rritje çmimi”, deklaroi Karakaçi.

Në vijim, ministri u pyet edhe mbi kërkesat e shoqatave të transportit publik për rritjen e çmimit të biletave, si pasojë e rritjes së kostos së karburantit.

Karakaçi bëri të ditur se qeveria është në dialog të vazhdueshëm me përfaqësuesit e sektorit dhe po shqyrton mundësinë e mbështetjes përmes subvencioneve.

“Para 2 orësh bashkë me ministren e Ekonomisë ne ishim në takim me shoqatat e transportit urban dhe inter-urban. Situatën e çmimit të hidrokarbureve po e ndjekim me kujdes. Masa e para ishte Bordi i Transparencës dhe elementi i akcizës. Në vazhdën e këtyre masave ishte edhe takimi i ditës së sotme. Po diskutohet elementi i një subvencioni. Kur e kemi miratuar në 2022-shin e kemi miratuar disa muaj pasi çmimi ishte i rritur dhe ishte më i lartë se sa sot”, u shpreh ministri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)