Teherani sekuestron dy anije në Ngushticën e Hormuzit, sulmohet edhe një e tretë

Akuzohen se kanë “operuar pa autorizim”, kanë “shkelur në mënyrë të përsëritur rregulloret”, kanë “manipuluar sistemet e ndihmës së navigimit” dhe kanë “tentuar të largohen në mënyrë të fshehtë”.

22.04.2026. 14:02

Teherani sekuestron dy anije në Ngushticën e Hormuzit, sulmohet edhe një e tretë

Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur sërish, pasi Garda Revolucionare iraniane ka njoftuar sekuestrimin e dy anijeve që po kalonin në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa raportohet edhe për sulm ndaj një mjeti të tretë detar. Sipas autoriteteve iraniane, njëra nga anijet e ndaluara është “MSC Francesca”, një anije transportuese kontejnerësh e regjistruar në Panama, por që operon nën kompaninë MSC.

Gjiganti italo-zviceran i transportit detar, konsiderohet ndër kompanitë më të mëdha të lundrimit në botë. Anija tjetër e sekuestruar është raportuar të jetë “Epaminodes”, me flamur grek. Agjencia iraniane Tasnim, e afërt me Pasdaranët, pretendon se dy anijet kanë shkelur rregullat e lundrimit dhe kanë rrezikuar sigurinë detare.

Sipas saj, “MSC Francesca” dhe “Epaminodes” akuzohen se kanë “operuar pa autorizim”, kanë “shkelur në mënyrë të përsëritur rregulloret”, kanë “manipuluar sistemet e ndihmës së navigimit” dhe kanë “tentuar të largohen në mënyrë të fshehtë nga ngushtica”. “Anijet kanë tentuar të dalin ilegalisht nga Ngushtica e Hormuzit, duke vënë në rrezik sigurinë detare”, citohet të ketë deklaruar Tasnim.

Ndërkohë, për “MSC Francesca” autoritetet iraniane kanë ngritur edhe një akuzë shtesë, duke e lidhur atë me atë që Teherani e quan “regjimi sionist”, term i përdorur nga Irani për Izraelin. Në sfond të këtyre zhvillimeve, televizioni shtetëror iranian njoftoi se Teherani ka “refuzuar kushtet amerikane për negociata”, ndërsa ka komentuar se Donald Trump e ka “zgjatur në mënyrë të njëanshme” armëpushimin.

Nga ana tjetër, këshilltari iranian Ghalibaf ka deklaruar se zgjatja e armëpushimit nga SHBA është “një manovër për të fituar kohë për një sulm të papritur”. Ndërkohë, raportohet se zv. presidenti amerikan JD Vance ka anuluar vizitën e planifikuar në Pakistan, në një tjetër sinjal të përshkallëzimit të situatës në rajon.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)