“Nëse do ishte njeri, do ishte akuzuar për vrasje”, nis hetim penal ndaj ChatGPT pas të shtënave në universitet

Autoritetet në Florida kanë nisur një hetim penal të paprecedentë që përfshin chatbot-in ChatGPT dhe kompaninë OpenAI, në lidhje me të shtënat që ndodhën në prill 2025 në Universitetin Shtetëror të Floridës.

Burimi: Tgcom

22.04.2026. 16:10

Prokurori i Përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, deklaroi se po shqyrtohet mundësia e përgjegjësisë penale. “Nëse në anën tjetër të ekranit do të ishte një person, ai do të ishte akuzuar për vrasje”. Sipas hetimeve, autori i sulmit, 20-vjeçari Phoenix Ikner, i cili vrau dy persona dhe plagosi gjashtë të tjerë, kishte komunikuar vazhdimisht me inteligjencën artificiale para krimit.

Dosja përfshin biseda të shumta mes të riut dhe chatbot-it, ku sipas hetuesve, janë diskutuar çështje si zgjedhja e armëve, lloji i municionit dhe madje edhe momenti dhe vendi më i përshtatshëm për të kryer sulmin. Prokuroria e cilëson këtë si një rast të paprecedentë, që hap një “territor të ri ligjor”.

Nga ana tjetër, OpenAI ka hedhur poshtë çdo përgjegjësi, duke deklaruar se ChatGPT ka dhënë vetëm informacione të përgjithshme të disponueshme publikisht dhe nuk ka inkurajuar apo nxitur veprime të paligjshme.

Autoritetet kanë kërkuar dokumente nga kompania për të verifikuar politikat e saj mbi menaxhimin e bisedave të rrezikshme. Në fokus është edhe një sistem paralajmërimi që duhet të sinjalizojë komunikimet e dyshimta dhe t’i kalojë ato për shqyrtim njerëzor.

Hetimi vijon, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ngrihen akuza penale ndaj një sistemi të inteligjencës artificiale, një rast që mund të vendosë precedent në nivel global.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)