Mbrojtja e kufijve nga shtetet mund të realizohet në shumë mënyra, por asgjë nuk ia kalon kësaj ideje origjinale. Forca Kufitare e Indisë, e ngarkuar me mbikëqyrjen e kufijve me Pakistanin dhe Bangladeshin, po vlerëson mundësinë e përdorimit të gjarpërinjve dhe krokodilëve në zonat lumore, si një mënyrë për të frenuar infiltrimet e paligjshme dhe veprimtaritë kriminale.
Sipas gazetës “The Hindu”, e cila citon një urdhër të brendshëm, në një komunikim zyrtar të datës 26 mars dhe të shpërndarë te të gjitha njësitë përgjatë kufirit me Bangladeshin, kërkohet që të studiohet nga ana operacionale, sa e realizueshme është vendosja e zvarranikëve në segmentet lumore të konsideruara të cenueshme.
Dokumenti thekson se kjo ide lidhet me udhëzimet e ministrit të Brendshëm indian, Amit Shah. Megjithatë, burime anonime nga shërbimet e sigurisë kanë sqaruar se masa ende nuk është zbatuar dhe janë ngritur dyshime mbi mënyrën se si mund të sigurohen këto kafshë.
Po ashtu, është diskutuar edhe ndikimi që një strategji e tillë mund të ketë te komunitetet lokale që jetojnë pranë zonave kufitare. Ndërkohë, qeveria indiane po vijon përpjekjet për forcimin e sigurisë përmes ndërtimit të gardheve të reja, por vijon të përballet me vështirësi si afërsia e vendbanimeve me kufirin, problemet e shpronësimeve dhe protestat e banorëve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)