Pas përplasjes me armë që ka ndodhur pranë Konsullatës izraelite në Stamboll, mediat turke njoftuan se dy agresorë janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ndërsa një person i tretë është kapur i plagosur. Lajmi është raportuar nga televizioni “NTV”, i cili thekson se konsullata ishte e mbyllur prej kohësh.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 me orën lokale dhe zgjati afërsisht 10 minuta. Tre personat dyshohet se mbërritën të armatosur me armë me tytë të gjatë, kishin veshur me rroba kamuflazhi dhe mbanin çanta shpine. Ata hapën zjarr ndaj efektivëve të policisë që ndodheshin pranë ndërtesës dhe për pasojë, dy policë mbetën të plagosur.
Ministri i Drejtësisë së Turqisë, Akin Gurlek deklaroi se ka nisur hetimi për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkohë, ministri i Brendshëm turk, Mustafa Ciftci, i cilësoi autorët si “terroristë” dhe njoftoi se identiteti i tyre është konfirmuar. Ai shtoi se personat e armatosur kishin ardhur nga Izmiri dhe kishin përdorur një automjet me qira për të mbërritur në Stamboll.
Sipas tij, një nga të përfshirët në ngjarje kishin lidhje me një organizatë që “instrumentalizon fenë”, ndërsa dy të tjerët, të cilët ishin vëllezër kishin precedentë penalë për trafik droge. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Izraelit bëri të ditur se gjatë përplasjes me armë, në konsullatën izraelite në Stamboll nuk kishte staf. Lajmi u konfirmua nga media izraelite, “Ynet”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)