Tatimpaguesit britanikë vazhdojnë të paguajnë miliona paund për strehimin e azilkërkuesve me fëmijë, kërkesat e të cilëve janë refuzuar dhe që kanë refuzuar të kthehen vullnetarisht në shtëpi, ndaj ministrja e Brendshme Shabana Mahmood ka kërkuar realizimin e dëbimeve në kohë më të shpejtë nga departamenti i saj, teksa njoftoi ndryshime të gjera në sistemin e imigracionit.
Për këtë arsye në Londër po shqyrtojnë mundësinë që të rrisin shumën e parave që do t’u ofrohet emigrantëve që pranojnë të largohen, për të përshpejtuar largimin e tyre.
Ministri i sigurisë kufitare, Alex Norris, i tha LBC se ky do të ishte “një investim i mirë për tatimpaguesin”, por refuzoi të jepte një shifër se sa mund të rritet pagesa. “Aktualisht, ne mund t’u paguajmë njerëzve rreth 3,000 £”, tha ai.
“Kjo do të thotë se ne mund t’i largojmë ata më shpejt dhe tatimpaguesi kursen para sepse ata nuk po strehohen nëpër hotele me tarifa të shtrenjta. Ne po shqyrtojmë nëse rritja e kësaj shume mund të ndihmojë, veçanërisht me familjet, sepse kemi 700 familje shqiptare që janë azilkërkues që iu është refuzuar qëndrimi. Nëse një stimul i vogël i shtyn ata të largohen, atëherë sigurisht që kjo është gjëja e duhur për t’u bërë, dhe prandaj po e shqyrtojmë atë”, shtoi Norris.
Ndërkohë, LBC raporton se qendra e tetë e largimeve u hap këtë javë nga Ministria e Brendshme, pranë Oksfordit, për të rritur fluturimet e dëbimit. Campsfield House shton 160 shtretër në 2,400 që janë aktualisht të disponueshëm në të gjitha qendrat e ndalimit në Britani dhe pritet të zgjerohet më tej me 240 vende të tjera në të ardhmen.
Objekti do të mbajë personat e ardhur me varka të vogla, së bashku me kriminelë të huaj që priten të dëbohen dhe shkelës të imigracionit të kapur duke punuar ilegalisht në Britani.
Duke parë përreth objektit para se emigrantët e parë të zhvendoseshin aty, Alex Norris i tha LBC: “Publiku pret rend dhe kontroll në sistemin tonë të migracionit dhe një pjesë kryesore e kësaj është rritja e numrit të personave që largohen. Për ta bërë këtë, duhet të kesh sistemin e ndalimit shumë të mirë. Pra, ky është objekti që po hapim këtu për fazën e fundit para se njerëzit të largohen nga vendi. Ne do të bëjmë ndryshime, siç u zotuam para dy javësh, në ligj, për t’u siguruar që, qoftë interpretimet vendase apo traktatet ndërkombëtare, të mos e pengojnë procesin e dëbimit”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)