Aksioni i policisë ka bërë të mundur zbulimin e 5 lokaleve në qytetet e Korçës dhe Pogradecit, të cilat ishin vënë në dispozicion për organizimin e jashtëligjshëm të lojërave të fatit. Si rezultat i operacionit, janë arrestuar 2 administratorë lokalesh, një në Korçë dhe një në Pogradec.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht 6 shtetas, administratorë dhe punonjës të këtyre lokaleve, të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm. Gjatë operacionit është kapur dhe proceduar në gjendje të lirë edhe një shtetas i shpallur në kërkim dy ditë më parë, gjithashtu për veprimtari të paligjshme të lidhura me lojërat e fatit.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË
Zbulohen 5 lokale në qytetin e Korçës dhe Pogradecit, të vëna në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Vihen në pranga 2 administratorë lokalesh qytetin e Korçës dhe Pogradecit. Procedohen penalisht 6 shtetas administratorë dhe punonjës në lokalet e evidentuara gjatë operacionit. Kapet dhe procedohet në gjendje të lirë një shtetas i shpallur në kërkim 2 ditë më parë, po për lojëra fati. Sekuestrohen pajisjet që shërbenin për lojëra fati dhe disa telefona.
Si rezultat i kontrollit të kryer, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe Pogradec kanë zbuluar disa lokale në qytetin e Korçës dhe Pogradecit, ku organizoheshin lojëra fati. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
J. L., 29 vjeç, banues në Korçë, administratori i lokalit, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Punësimi i paligjshëm”;
E. M., 26 vjeç, banues në Pogradec, administratori i lokalit, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Gjatë kontrollit në lokalet që këta shtetas administronin, janë konstatuar monitorë dhe aparate celularë me faqe që shërbenin për vendosjen e basteve sportive, si dhe janë konstatuar punonjës të paregjistruar në organet kompetente.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
M. V., 48 vjeç, banues në Korçë, dhe S. B., 34 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Punësim i paligjshëm”, pasi gjatë kontrollit në lokalet që këta shtetas administronin u konstatuan 2 kamarierë të paregjistruar në organet kompetente.
V. T., 19 vjeç, dhe Ç. P., 42 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
E. Ç., 41 vjeç, banues në Pogradec, pasi u konstatua që biznesi që administronte ishte i paregjistruar në organet kompetente.
D. K., 43 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Deklarim i rremë para oficerëve të Policisë Gjyqësore”.
Gjatë kontrolleve u kap edhe shtetasi N. D., 35 vjeç, banues në Korçë, i shpallur në kërkim 2 ditë më parë, pasi kishte kanosur nëpërmjet telefonit një 18-vjeçar, për një shumë lekësh që i kishte borxh, për vendosjen e basteve sportive që i kishte bërë 35-vjeçari.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)