"Trimoshat me patllake", Rama e SPAK përplasen për agjentët e BKH, Kryeministri: Ky ishte më i ëmbli i episodeve!
Shkëmbime replikash janë regjistruar mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Posaçme, pas deklaratave të bëra nga kreu i qeverisë në hyrje të podcastit të tij “Flasim” për etikën profesionale të agjentëve të BKH-së.
Kjo e dielë është shndërruar në një arenë përplasjesh në distancë midis kryeministrit Edi Rama dhe SPAK. Gjtihçka nisi pas një deklarate të bërë nga shefi i qeverisë në podcastin e tij “Flasim”, ku kritikoi qëndrimin e agjentëve të BKH, duke marrë si shembull një rast kur disa prej tyre u paraqitën në godinë e Kryeministrisë dhe refuzuan sipas tij të dorëzonin armët në hyrje, në respekt të rregullores dhe protokolleve.
“Dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës”, tha kreu i ekzekutivit.
Ky pohim i Ramës u pasua nga një reagim i Strukturës së Posaçme, ku nënvizohej se tre agjentët e BKH-së që hyn në Kryeministri në përputhje me rregulloren kanë dorëzuar armët duke i vendosur në dollapin e sigurisë sipas orientimit të oficerëve të Gardës.
“Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë: Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku. Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit. Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale. Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës”, thuhet në reagimin e SPAK.
Kryeministri Rama në vijim nuk e ka lënë pa një përgjigje BKH dhe SPAK, teksa përmes platformës “X” shkruan se rasti që ai përmendi sot nuk është i vetmi që tregon se asaj trupe i mungon etika profesionale.
SPAK ka reaguar për mediat pas kritikave të kryeministrit Edi Rama ndaj agjentëve të BKH-së, për të cilët tha se kanë refuzuar të dorëzojnë armët , gjatë një vizite të tyre në Kryeministri.
Edi Rama akuzoi disa përfaqësues të drejtësisë se për të dytë herë brenda pak kohësh kërkonin të merrnin kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe Kuvendit. Kreu i qeverisë solli në vëmendje kërkesën e shoqatave të gjyqtarëve që kërkonin me ngulm rritjen e pagave.
“Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re! Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë. Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale - thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re“, shkruan Rama.
Po ashtu kreu i qeverisë nënvizon se drejtësia e re duhet të shkëputet nga mendësia e vjetër e forcës dhe se ka ardhur koha për të reflektuar dhe të mos lejohet që abuzohet me cilësinë e gjyqësorit.
“Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur të drejtësisë së pavarur nga ujërat e pistë të mendësive të vjetra e të keqkuptimeve të reja, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë dhe cilësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja - duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit“, thekson Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin francez Emmanuel Macron me të cilin bisedoi tema të ndryshme nga siguria e kufijve tek rritja e kapaciteteve mbrojtëse.
Kryeministri Rama zhvilloi një takim me socialistët e njësisë nr.2 në Tiranë, ku foli për rrogat dhe pensionet dhe situatën ku ndodhet ekonomia për shkak të luftës në Iran dhe ndikimeve të saj.
Në këtë nismë pritet të angazhohen drejtues të qeverisë, deputetë dhe kryetarë bashkish, të cilët do të zbresin në terren për të prezantuar punën e bërë dhe për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.
Radhët e gjata rikthehen në Kapshticë, pasi pala greke ka nisur identifikimin elektronik, fotografimin dhe marrjen e shenjave të gishtave të kujtdo që hyn në territorin e saj.
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin antidrogë "Night Clubs" ku ka identifikuar 11 administratorë lokalesh që shpërndanin drogë ekstazi.Nga 11 masa sigurie janë ekzekutuar 9 prej tyre, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Komente (0)