Procesi i kompensimit financiar për pronat vijon me një tjetër hap të rëndësishëm. Mbi 13 mijë familje pronarësh do të përfitojnë kompensimin financiar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas listës së re të përfituesve të miratuar. Në prag të ndërrimit të viteve, lajmi u dha nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Sipas ministrit, fondi prej rreth 1.4 miliardë lekësh do të kalojë në llogaritë bankare të përfituesve duke nisur nga data 31 dhjetor 2025 dhe në ditët në vijim. Vendimi përfshin 3527 subjekte, të cilat kompensohen përfundimisht për 30 për qind të mbetur të vlerës që u takonte sipas ligjit, duke e mbyllur plotësisht detyrimin financiar të shtetit ndaj tyre.
“Sapo miratuam listën me 3527 subjekte që kompensohen përfundimisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Me një fond prej rreth 1.4 miliardë lekësh, mbi 13 mijë familje përfitojnë drejtpërdrejt nga buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare”, u shpreh ministri Lamallari.
Ai theksoi se ky vendim shkon përtej aspektit financiar dhe përfaqëson një akt të rëndësishëm drejtësie. “Ky nuk është thjesht një akt financiar, por një akt drejtësie. Është respekt për pronën, për ligjin dhe për qytetarin”, tha ministri.
Lamallari nënvizoi se ka kërkuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronës që procesi të ecë sa më shpejt, me transparencë dhe në respekt rigoroz të ligjit, si një nga detyrimet e rëndësishme të shtetit shqiptar në kuadër të rrugëtimit drejt Bashkimit Europian. Lista e plotë e përfituesve është publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)