Një valë inspektimesh në noterë është urdhëruar nga ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari.
Sipas këtij institucioni në tre muaj janë kryer 22 inspektime të plota ndaj shërbimit noterial nisur dhe nga ankesa të mbërritura nga qytetër. Nga këto inspektime ka pasur 12 penalitete, përfshi dhe heqje të licencës. Ndaj gjashtë noterëve është lëshuar masa “vërejtje me paralajmërim për heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të noterit”.
Frida Muçmatajt dhe Valentin Lleshit iu është hequr licenca pasi edhe pse kishin mbushur moshën ligjore të daljes në pension ata vijonin ende të ushtronin profesionin e noterit.
Krahas masave disiplinore dhe heqjes se licencës, janë vendosur gjithashtu edhe disa gjoba me vlerë rreth 6 milionë lekë të vjetra për shkelje të ndryshme.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, edhe në nisje të vitit 2026 ka urdhëruar inspektime të tjera për shërbimin noterial. Rastet janë ende në proces dhe rezultatet pritet të komunikohen në muajt e ardhshëm.
Roli i Ministrisë së Drejtësisë si organ mbikëqyrës dhe kontrollues i sistemit noterial në vend, konsiston në monitorimin nga pikëpamja ligjore e veprimtarisë së noterëve, në mënyrë që ai të jetë në koherencë me nevojat e shoqërisë dhe zhvillimit të ekonomisë së lirë, si dhe në menaxhimin në mënyrë racionale e transparente të ushtrimit të një funksioni publik nga ana e profesionistëve privatë. Besueshmëria, transparenca dhe eficenca janë në themel të këtij profesioni.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)