Rreth gjashtë muaj pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, janë forcuar ndjeshëm masat e sigurisë në hyrje të Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme.
Prej kësaj të marte, në ambientet e GJKKO ka hyrë në fuqi një plan i ri sigurie, i cili synon rritjen e kontrollit dhe parandalimin e incidenteve të mundshme. Në hyrje të institucionit është vendosur një skaner, ku do të kalojnë të gjithë personat që hyjnë në godinë.
Gjithashtu, prania e një punonjësi të Gardës së Republikës është bërë e përhershme për të garantuar rendin dhe sigurinë.
Pas kalimit në pikën e parë të kontrollit, qytetarët dhe punonjësit do t’i nënshtrohen një tjetër skaneri brenda ambienteve të brendshme, për një verifikim më të detajuar. Ndërkohë, edhe dalja nga godina do të kryhet përmes një niveli sigurie të shtuar, të ngjashëm me atë të institucioneve të rëndësisë së veçantë.
Këto masa vijnë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Tiranën më 6 tetor 2025, kur gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit gjatë shqyrtimit të një çështjeje pronësie.
Autori i dyshuar, Elvis Shkambi, qëlloi me armë zjarri ndaj gjyqtarit menjëherë pasi ky i fundit kishte dhënë vendimin në një proces ku ishte i përfshirë një familjar i tij. Nga të shtënat u plagosën gjithashtu edhe dy persona të tjerë, Ragip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj, që kishin qenë pale në proces.
Pas ngjarjes, autori u dorëzua pranë forcave të policisë në dalje të gjykatës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)