Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme e mbetur në garë nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar.
Projekti, i cili kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 400 milionë eurosh, synonte ndërtimin e një porti të ri tregtar në zonën e Porto Romanos.
Kompania Archirodon, që kishte mbetur e vetme në fazën përfundimtare të garës, nuk paraqiti ofertën e saj financiare më 9 mars, duke bërë që procedura e tenderit të mbyllej pa rezultat.
Anulimi i tenderit vjen në një moment kur projekti ishte vënë në qendër të kritikave nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri. Kreu i saj, Grant Van Cleeve, kishte paralajmëruar se projekti aktual i portit ishte shumë i kufizuar në përmasa dhe nuk do të ishte në gjendje të konkurronte me portet e mëdha rajonale.
Sipas tij, porti i planifikuar me rreth 400 metra mur moli dhe një sipërfaqe prej 38 hektarësh nuk do të përmbushte nevojat strategjike të zhvillimit të Korridorit 8. Van Cleeve theksoi se një projekt i tillë rrezikon të linte Shqipërinë jashtë flukseve kryesore tregtare në rajon, të cilat aktualisht përqendrohen në portet e Pireut dhe Selanikut.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)