Shqiptarja në Itali gjendet e vdekur në banesë, dyshohet se u vra nga bashkëshorti

Një grua 50-vjeçare me origjinë shqiptare nga Maqedonia është gjetur e vdekur në një banesë në provincën e Ankonës në Itali, ku dyshohet se ajo është rrahur për vdekje nga bashkëshorti.

03.12.2025. 21:03

Shqiptarja në Itali gjendet e vdekur në banesë, dyshohet se u vra nga bashkëshorti

Një ngjarje e rëndë ka tronditur provincën e Ankonës në Itali, ku një grua 50-vjeçare me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut është gjetur e vdekur në banesën ku jetonte. Viktima, e identifikuar si Sadjide Muslija, dyshohet se është dhunuar për vdekje nga bashkëshorti i saj, Nazif Muslija, gjithashtu 50 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në arrati.

Alarmi u dha nga punëdhënësi i së ndjerës, pasi ajo nuk ishte paraqitur në punë gjatë ditës së sotme. Menjëherë pas njoftimit, karabinierët hynë në banesën e saj dhe e gjetën gruan të shtrirë në shtrat, të pajetë dhe me shenja të dukshme dhune brutale.

Sipas mediave italiane, burri i saj nuk është paraqitur në punë që në orët e para të mëngjesit, çka ka forcuar dyshimet mbi përfshirjen e tij në ngjarje. Autoritetet italiane e kërkojnë atë për akuzën e mundshme të feminicidit.

Viktima kishte raportuar disa herë pranë institucioneve për dhunë të ushtruar nga bashkëshorti. Ajo kishte dëshmuar se ishte viktimë e dhunës fizike prej më shumë se dy vitesh.

Madje në prill të këtij viti, Nazif Muslija ishte arrestuar pas një episodi të rëndë agresioni, gjatë të cilit kishte thyer derën e dhomës së gjumit me sëpatë, duke e detyruar gruan të strehohej te fqinjët.

Megjithatë, pas një marrëveshjeje dënimi të arritur në korrik dhe lirimit të tij, çifti u rikthye të jetonte sërish bashkë.

Sakaq, hetimet po vijojnë intensivisht nga autoritetet italiane, të cilat janë në ndjekje të bashkëshortit të viktimës, ndërsa komuniteti lokal dhe familjarët janë tronditur nga ngjarja e rëndë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)