Sherr mes shoferëve në aksin Mamurras-Fushë Krujë pas aksidentit, ndërron jetë 57-vjeçari

Një 61-vjeçar ka ndërruar jetë pas një sherri që nisi si pasojë e një aksidenti të ndodhur pak pas mesnatës në aksin rrugor Mamurras-Fushë Krujë. Policia bën me dije se për ngjarjen ka arrestuar në flagrancë një 28-vjeçar.

20.01.2026. 09:13

Sherr mes shoferëve në aksin Mamurras-Fushë Krujë pas aksidentit, ndërron jetë 57-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës në aksin rrugor Mamurras–Fushë Krujë, ku një përplasje fizike mes dy drejtues mjetesh ka çuar në ndarjen nga jeta të njërit prej tyre.

NewsmaxBalkans mëson se viktima është 57-vjeçari, Petrit Ndou, ndërsa për ngjarjen është arrestuar në flagrancë si autor i dyshuar, 28-vjeçari Andi Vokri, banues në Thumanë.

Për hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje janë administruar disa dëshmi dhe deklarata. Prokuroria dhe policia po vijojnë veprimet hetimore për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, ndaj Andi Vokrit, ndërsa po vlerësohet edhe pozita e personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje.

Po ashtu bëhet me dije se sherri mes dy drejtuesve të mjeteve ka nisur pas përplasjes së makinave pranë fshatit Bushnesh dhe sipas policisë janë përdorur sende të forta.

“Rreth orës 00:40, në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, është goditur me sende të forta dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi P. N., 57 vjeç. Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar dhe shtetas që mund të ketë dijeni për ngjarjen, por për shkak të hetimit, nuk jepen të dhënat e tyre”, informon policia.

Ndërkohë një grup hetimor është ngritur dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)