Ushtronin prostitucion në Durrës, kapen brazilianet

Policia e Durrësit ka ndaluar dy shtetase braziliane të cilat ushtronin veprimtarinë e paligjshme të prostitucionit, në dy ambiente të marra me qira.

08.03.2026. 12:54

Ushtronin prostitucion në Durrës, kapen brazilianet

Policia e Durrësit ka zbuluar një rast të dyshuar të ushtrimit të prostitucionit në dy ambiente të marra me qira në qytet, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy shtetase nga Brazili.

Sipas uniformave blu, në kuadër të një operacioni policor u arrestuan në flagrancë N. P., 26 vjeçe dhe M. B., 39 vjeçe, të dyja të lindura dhe banuese në Brazil. Ato dyshohen për veprat penale “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Nga hetimet paraprake rezulton se dy shtetaset e huaja kishin marrë me qira dy ambiente në rrugën “Dalip Peza”, në lagjen nr. 17 të Durrësit, të cilat dyshohet se i kishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit.

Gjatë operacionit policor, njëra prej grave refuzoi të hapte derën e ambientit ku ndodhej, duke detyruar ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës për hapjen e saj.

Në vijim të veprimeve procedurale, policia procedoi në gjendje të lirë një 22-vjeçar nga Durrësi, i dyshuar për përfshirje në prostitucion. Po ashtu u procedua edhe pronari i ambienteve të dhëna me qira, shtetasi F. T., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.

Gjatë kontrollit u sekuestruan dy pasaporta, një shumë parash, tetë telefona celularë, një DVR, karta telefonike, dy blloqe shënimesh dhe dy sasi të vogla kanabisi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)