Një person i moshuar ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një banesë në zonën e Ali Demit në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, kur flakët përfshinë katin e parë të një banese. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe policia, të cilat kanë ndërhyrë për vënien nën kontroll të zjarrit.
Si pasojë e flakëve, brenda banesës ka mbetur i bllokuar pronari i saj, i identifikuar si 72-vjeçari Theodhor Llulla, i cili dyshohet se ka humbur jetën nga asfiksia.
“Rreth orës 21:20, në rrugën ‘Ali Demi’, në katin e parë të banesës së shtetasit Th. Ll., 72 vjeç, ka rënë zjarr. Si pasojë dyshohet se ka humbur jetën 72-vjeçari”, njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit, si dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)