Autoritetet kanë bërë një vlerësim paraprak të dëmeve të shkaktuara nga zjarri që përfshiu një kompleks pallatesh pasditen e së martës në zonën e Farmacisë 10 në Tiranës.
Sipas të dhënave jozyrtare rreth 30 apartamente janë përfshirë nga flakët, teksa dëmet janë kolosale, pasi orenditë brenda pothuajse janë shkrumbuar.
Zjarri tashmë është në kontroll, teksa pasojat e tij mund të shihen fare qartë me fasadën pothuajse të shkatërruar.
Deri në këto momente raportohet për 11 persona të lënduar nga flakët dhe tymi, pjesa më e madhe e të cilëve janë punonjës të zjarrfikësve.
Një grua, banore e pallatit, vijon të jetë në spital, pasi ka pësuar djegie në 15% të trupit.
Në operacionin për fikjen e zjarrit morën pjesë më shumë se 100 zjarrfikës dhe shumë mjete, disa prej të cilave kishin ardhur nga bashkitë pranë.
Po ashtu, ushtria dhe forcat Renea u bashkuan në operacion, për shkak të vështirësisë së tij dhe nevojës për sa më shumë ndihmë.
Nga ajri kontribuoi dhe një helikopter i Forcave të Armatosura, por duhet thënë se përfshirja e tij ishte disi e vështirë, pasi flakët kishin hyrë në mjediset e brendshme të pallatit.
Paraprakisht, vijon të mendohet se flakët nisën nga marketi në katin e parë, teksa Inspektorati i Përgjithshëm deklaroi se një hetim do të nisë për të evidentuar nëse ka përgjegjësi penale për këtë rast.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)