Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë vendimin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së bërë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Dokumenti i miratuar nga qeveria i është përcjellë Kryetarit të Kuvendit, ndërsa seanca plenare për votimin e tij pritet të zhvillohet brenda kësaj jave.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka kërkuar deputetëve socialistë të jenë të gatshëm për një seancë të posaçme, ku do të votohet ratifikimi i aderimit në këtë strukturë ndërkombëtare.
Pak ditë më parë, kryeministri Rama konfirmoi marrjen e ftesës për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe kërkoi që çështja të trajtohej me procedurë të përshpejtuar në Kuvend.
Bordi i Paqes është një strukturë e ngritur nën iniciativën e Presidentit amerikan Donald Trump, me synim administrimin kalimtar, rindërtimin dhe stabilizimin e Rripit të Gazës pas konfliktit të zgjatur. Në përbërje të tij janë përfshirë liderë dhe figura me peshë ndërkombëtare, ndërsa Trump do të ketë rolin e kryetarit të bordit.
Mes emrave të përmendur si pjesë e kësaj strukture janë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ish-Kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair, Jared Kushner, si edhe përfaqësues të Bankës Botërore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)