Policia e Tiranës ka dhënë detaje lidhur me protestën e mbrëmshme të opozitës. Sipas saj janë arrestuar 15 persona, ndërsa janë proceduar penalisht 9 prej tyre. Gjatë protestës janë plagosur 6 punonjës policise.
"Më datë 22.03.2026, rreth orës 18:00, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Gjithashtu, ata kanë hedhur në drejtim të tyre dhe ndaj disa institucioneve lëndë djegëse (molotovë). Si pasojë, 6 punonjës Policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit dhe morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Si dhe janë shkaktuar dëmtime në godinat përkatëse, janë djegur disa kosha mbeturinash, si dhe është djegur 1 automjet policie", thotë policia, duke shtuar se janë identifikuar 24 persona që kanë kryer veprime të kundraligjshme.
Sakaq, bëhet e ditur se kanë nisur hetimet ndaj deputetit Klevis Balliu. "Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit më krim”. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje", thotë policia.
Pas përfundimit të protestës së opozitës që zgjati rreth tre orë dhe u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë në rrugët e Tiranës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli nga selia e PD-së.
Ai falënderoi mbështetësit për pjesëmarrjen dhe e cilësoi protestën si një moment të rëndësishëm në vijimësinë e aksionit opozitar, duke theksuar se kjo datë përkon me përvjetorin e përmbysjes së diktaturës komuniste.
“Përshëndetje vëllazërore, një mirënjohje të pakufishme. Me qëndrimin tuaj, nderuat më shumë se kurrë këtë datë të shënuar, përmbysjen e diktaturës 34 vite më parë dhe i dhatë edhe goditjen e merituar kësaj diktature, ju garantoj se tjetra do të jetë më e shkëlqyer. Për Edi Ramën nuk do të ketë strofull ku të futet. Keni qenë të shkëlqyer! Si e nderuat ju kaq shumë sot 22 marsin, e tmerruat Edi Ramën. Ne zotohemi se nuk ka paqe në këtë vend me ata që vjedhin si hienat pasuritë publike të shqiptarëve për t’u pasuruar vetë. Qëndresa jonë, ndëshkimi ynë do të bjerë mbi ta dhe ata do të përfundojnë në Lanë, në koshat e plehrave të historisë. Ju e patë si e kishte rrethuar në katër anët me polici, por nuk ka rrethim që na ndalon ne. Edi Rama, jep dorëheqjen sepse do të tërheqim ashtu siç nuk ta pret mendja.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)