Në konferencë për mediat kreu i Partisë Demokatike Sali Berisha konfirmoi një ditë pas protestës kombëtare se tubimet e PD do të shtrihen në të gjithë vendin.
"Ndaj dhe ne vazhdojmë rrugën tonë gjer në largimin e kësaj organizate kriminale nga pushteti, e cila ka zero legjitimitet.
Ka dalë nga farsa elektorale e certifikuar. Ka vjedhur miliarda e miliarda euro dhe tani së fundmi bllokoi drejtësinë. Ne jemi të bindur se në këtë mënyrë ne jemi interpretë të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre, por që jetojnë me mundin dhe djersën e tyre. Kështu që, beteja vazhdon edhe më e fuqishme, do të përhapet, do të njohë nivele të reja. Nuk ka më paqe dhe stabilitet për hajdutët, për narkozyrtarët shqiptarë gjer me rikthimin e votës së lirë, shtetit ligjor", tha ai.
Për Berishën protesta e PD ishte lajm kryesor në mediat ndërkombëtare, pas luftës në Iran.
"Kam një mirënjohje të pakufishme ndaj medieve që e përcollën atë, por në veçanti edhe ndaj medieve ndërkombëtare. Pas luftës në Lindjen e Mesme, lajm kryesor në mediat ndërkombëtare është protesta e qytetarëve shqiptarë ndaj regjimit të korruptuar të Edi Ramës. Dhe këto lajme, të përhapura në mediat më të mëdha të botës, të transmetuara dhe të ritransmetuara nga agjencitë më të mëdha ndërkombëtare dhe gazetat më të mëdha e rrjetet televizive, janë mbrojtja e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, mbrojtja e dinjitetit të Shqipërisë. Me këto lajme, mediat ndërkombëtare u faktojnë kombeve dhe vendeve të tyre se vërtet në Shqipëri ka një Ramaduro, ka një kryeministër, i cili nxjerr veten mbi ligjin për vjedhjet që ka bërë. Përdor mandatet e krimit si thika kundër ligjit dhe shtetit. Por ka një popull që nuk pranon këtë. Ka një popull që ngrihet fuqishëm si vigan kundër tij", tha ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)