Demokratët “rrethojnë” sot Tiranën për 3 orë, protesta e radhës kundër Edi Ramës

Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj do të zbresin këtë të premte sërish në sheshin përpara Kryeministrisë për të kërkuar largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

17.04.2026. 08:22

Demokratët “rrethojnë” sot Tiranën për 3 orë, protesta e radhës kundër Edi Ramës

Opozita do të zbresë sërish në shesh mbrëmjen e sotme për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Protesta e opozitës do të nisë në orën 19:00 në sheshin përpara Kryeministrisë dhe pritet të zgjasë rreth 3 orë, të pakën sipas kërkesës që është dërguar në polici nga organizatorët.

Edhe njëherë mbështetësit e opozitës pritet të kërkojnë largimin e qeverisë Rama dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, për shkak të atyre që ata i quajnë afera të rënda korrupsioni në radhët e mazhorancës dhe keqqeverisjes.

Skenari i kësaj proteste ende nuk është bërë me dije, teksa ashtu edhe si në manifestimet e mëparshme të këtij lloji, mund të ketë marshim në rrugët e Tiranës dhe akte të mundshme dhune.

Kujtojmë se gjatë protestave të mëparshme janë hedhur koktejle molotov dhe sende të forta në drejtim të institucioneve kryesore.

Për shkak të protestës policia ka vendosur kufizime të përkohshme në disa segmente rrugore. Konkretisht, duke nisur nga ora 23:45 e datës 16 prill dhe deri në përfundim të protestës, do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Ndërkohë, nga ora 15:00 e datës 17 prill dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet plotësisht lëvizja e automjeteve në të njëjtin bulevard, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”. Kufizime do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës u bën thirrje organizatorëve që të respektojnë afatin dhe të distancohet nga veprime të kundërligjshme që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)