Në kuadër të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë një paketë të gjërë ndryshimesh në Kodin Penal. Synimi është harmonizimi i plotë me standardet e Bashkimit Europian. Pas një pune të gjatë me legjislacionin shqiptar, ku synohet përafrimi me shtatë instrumente kyçe të BE-së, ministri Besfort Lamallari prezantoi ndryshimet në Komisionin e Ligjeve.
Aty forcohen lufta kundër pastrimit të parave, trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore, terrorizmit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, si dhe zgjeron juridiksionin penal për vepra të kryera jashtë vendit. Paketa parashikon ashpërsim dënimesh për krimet seksuale, mbrojtje të shtuar për fëmijët dhe grupet vulnerabël, si dhe zero tolerancë ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, duke përjashtuar pëlqimin e viktimës si justifikim.
Ndryshimet prekin edhe ndërtimet pa leje, zënien e paligjshme të tokës dhe dëmtimin e mjedisit, veçanërisht në zona të mbrojtura, si dhe forcojnë ndëshkimet për zjarrvënie në pyje. Parkimi në rresht të dytë do të trajtohet si vepër penale kur pengon qarkullimin dhe mjetet e emergjencës.
Paralelisht, projekti synon forcimin e lirisë së medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë në mirëbesim dhe në interes publik, si dhe duke ashpërsuar dënimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre. Ministri Lamallari e cilësoi këtë një reformë strategjike për forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e sigurisë publike dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)