Irani ka publikuar përmes mediave shtetërore pamje të atyre që pretendojnë se janë dy avionë transporti amerikanë C-130 dhe dy helikopterë Blackhaëk, të cilët sipas autoriteteve në Teheran u rrëzuan kur trupat e Gardës Revolucionare hapën zjarr mbi forcat amerikane gjatë operacionit për shpëtimin e pilotit të avionit të rrëzuar F-35E Eagle Strike.
Piloti është shpëtuar siç ka konfirmuar edhe vetë Presidenti i SHBA, Donald Trump, por situata është e paqartë në këtë fazë, pasi ndryshe nga pretendimet e Iranit, zyrtarët amerikanë kanë thënë se forcat amerikane u detyruan të shkatërronin vetë dy nga avionët e tyre gjatë misionit të shpëtimit.
Reuters dhe Associated Press e kanë konfirmuar këtë informacion nga burime në Pentagon, duke raportuar se forcat amerikane shkatërruan avionë që dyshohet të kenë ngecur në rërë.
Një zyrtar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se forcat amerikane duhej të shkatërronin të paktën një avion gjatë misionit të shpëtimit sepse ai kishte funksionuar keq.
Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se trupat amerikane hodhën në erë dy aeroplanë transporti për shkak të një mosfunksionimi teknik, duke i detyruar ata të sillnin avionë shtesë për të përfunduar operacionin e shpëtimit, por rrethanat që çuan në shkatërrimin e avionëve nuk janë konfirmuar ende në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, në postimin e tij ku festonte suksesin e misionit të shpëtimit, Donald Trump tha se nuk pati vdekje mes trupave amerikane, por nuk përmendi avionë.
"Fakti që ne ishim në gjendje të realizonim të dyja këto operacione, pa asnjë amerikan të vrarë, apo edhe të plagosur, vërteton edhe një herë se kemi arritur dominim dhe superioritet të jashtëzakonshëm ajror mbi qiellin iranian", tha presidenti amerikan.
Tani, mediat iraniane kanë publikuar imazhe dhe video të një vendi të rrëzimit rreth 45 km, në jug të qytetit iranian të Isfahanit. Imazhet tregojnë pjesë nga të paktën një aeroplan i madh me helikë dhe një helikopter.
Sakaq, raportohet nga NBC News se shpëtimi i pilotit të avionit të rrëzuar F-15 nga Irani u bë i mundur me ndihmën e dredhive të CIA-s.
“Ndërsa iranianët ishin të hutuar dhe të pasigurt për atë që po ndodhte, agjencia përdori aftësitë e saj unike dhe të shkëlqyera për të kërkuar dhe gjetur amerikanin. Kjo ishte 'gjilpëra në kashtë' përfundimtare, por në këtë rast ishte një shpirt i guximshëm amerikan brenda një çarjeje mali, i padukshëm përveç aftësive të CIA-s", tha një zyrtar i lartë i administratës Trump në një deklaratë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)