Një projekt futurist i inxhinierisë hap horizonte të reja për eksplorimin e hapësirës, duke propozuar dërgimin e njerëzve drejt një planeti tjetër përmes një udhëtimi që do të zgjasë disa shekuj.
Koncepti i quajtur “Chrysalis” parashikon ndërtimin e një anijeje gjigante prej 58 kilometrash, e aftë të transportojë deri në 1.000 persona drejt planetit Proxima b, i vendosur në sistemin Proxima Centauri. Udhëtimi do të zgjasë rreth 400 vjet dhe do të përshkojë afro 40 trilionë kilometra, çka nënkupton se disa breza do të lindin dhe jetojnë në bord përpara mbërritjes në destinacion.
Ndryshe nga anijet aktuale hapësinore, kjo strukturë konceptohet si një qytet i plotë lundrues, i aftë të vetëfunksionojë. Ajo do të përfshijë zona banimi, hapësira bujqësore, struktura industriale dhe madje edhe mjedise natyrore si “pyje tropikale”, për të ruajtur balancën e ajrit.
Një element kyç i projektit është krijimi i gravitetit artificial, për të shmangur efektet negative të jetesës afatgjatë në mungesë graviteti, si dobësimi i kockave dhe muskujve. Habitatet do të organizohen në forma vertikale, të ngjashme me ndërtesat.
Sfida më e madhe konsiderohet aspekti social. Projekti nuk synon të transportojë vetëm një ekuipazh, por një shoqëri të tërë, me një popullsi që mund të arrijë deri në 2.400 persona, edhe pse rreth 1.500 konsiderohen të qëndrueshëm në afatgjatë.
Në këtë kuadër, parashikohet kontroll i lindjeve, menaxhim i burimeve dhe ruajtje e njohurive, ndërsa profesione si mjekë, inxhinierë dhe fermerë do të jenë thelbësore për mbijetesën.
Një rol të rëndësishëm do të ketë edhe inteligjenca artificiale, e cila do të ndihmojë në menaxhimin teknik dhe social të komunitetit, duke ngritur njëkohësisht pyetje mbi kontrollin dhe vendimmarrjen në një mision të tillë pa kthim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)