Papa Leoni XIV kremton Meshën e parë të Pashkëve: Bota është e plagosur nga luftërat!

Gjatë predikimit të tij, Papa foli për prezencën e vdekjes dhe dhunës në botë, duke iu referuar indirekt koflikteve, si ato në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, të cilat kanë tronditur botën.

05.04.2026. 12:03

Papa Leoni XIV kremton Meshën e parë të Pashkëve: Bota është e plagosur nga luftërat!

Papa Leoni XIV kremtoi Meshën e tij të parë të Pashkëve që nga zgjedhja e tij si Ati i Shenjtë, duke bërë thirrje për paqe dhe shpresë në një botë të plagosur nga luftërat dhe abuzimet.

Pas shërbesës, ai dha bekimin tradicional Urbi et Orbi për qytetin dhe botën nga galeria qendrore e Bazilikës së Vatikanit.

Gjatë predikimit të tij, Papa foli për prezencën e vdekjes dhe dhunës në botë, duke iu referuar indirekt koflikteve, si ato në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, të cilat kanë tronditur botën.

"Vdekja është gjithmonë në pritje. E shohim të pranishme në padrejtësi, në egoizmin e individëve, në shtypjen e të varfërve, në mungesën e vëmendjes ndaj më të prekshmëve. E shohim në dhunë, në plagët e botës, në britmën e dhimbjes që ngrihet nga çdo anë për abuzimet që shtypin më të dobëtit, për idhujtarinë e fitimit që plaçkit burimet e tokës, për dhunën e luftës që vret dhe shkatërron”, tha Ati i Shenjtë.

Foto: AP/Andrew Medichini

Megjithatë, Papa nënvizoi shpresën që sjell besimi duke thënë: "Por Zoti është gjallë dhe mbetet me ne. Përmes çarjeve të ringjalljes që hapen në errësirë, ai ia beson zemrat tona shpresës."

Papa Leoni XIV shtoi se fuqia e vdekjes dhe e vuajtjes është e pranishme brenda dhe jashtë nesh.

"Fuqia e vdekjes na kërcënon gjithmonë, brenda dhe jashtë. Brenda nesh, kur barra e mëkateve tona na pengon të fluturojmë; kur zhgënjimet ose vetmia që përjetojmë na shkatërrojnë shpresat; kur shqetësimet ose pakënaqësitë na e mbysin gëzimin e jetës; kur përjetojmë trishtim ose lodhje, kur ndihemi të tradhtuar ose të refuzuar, kur duhet të përballemi me dobësinë tonë, me vuajtjet, me mundin e çdo dite, atëherë ndihemi sikur kemi përfunduar në një tunel nga i cili nuk mund ta shohim daljen."

Në fund të predikimit, Papa bëri një thirrje të fortë për shpresë dhe paqe, pasi sipas tij Pashka na e jep këtë shpresë dhe besim kundër padrejtësive.

"Është e vërtetë që shpesh duket sikur Zoti nuk ekziston: shohim padrejtësi, ligësi, indiferencë dhe mizori që nuk pakësohen kurrë. Por është po aq e sigurt se në mes të errësirës diçka e re fillon gjithmonë të lulëzojë, e cila herët a vonë jep fryte. Pashka na jep këtë shpresë, duke na kujtuar se në Krishtin e ringjallur, një krijim i ri është i mundur çdo ditë. Pashka është një fillim i ri; është jeta e bërë më në fund e përjetshme nga fitorja e Zotit mbi Kundërshtarin e lashtë. Ne kemi nevojë për këtë këngë shprese, dhe jemi ne, të ringjallur me Krishtin, që duhet ta çojmë atë nëpër rrugët e botës."

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)