Kërcënimi shfarosës i Trump, Irani rrethon termocentralet dhe urat me zinxhirë njerëzish

Irani u ka bërë thirrje të rinjve të vendit të formojnë zinxhirë njerëzorë rreth termocentraleve të vendit, të cilat Presidenti Trump po kërcënon t'i bombardojë me ultimatumin e së mërkurës që po skadon për Teheranin.

07.04.2026. 17:34

Kërcënimi shfarosës i Trump, Irani rrethon termocentralet dhe urat me zinxhirë njerëzish

Rrethimi i fabrikave, uzinave dhe urave me zinxhirë njerëzish është përgjigjia që regjimi në Teheran ka zgjedhur t’i japë kërcënimit shfarrosës së Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, me shpresën se frika e ekzekutimit të civilëve të pafajshëm do ta zmbrapsë sulmin amerikan.

Irani u ka bërë thirrje të rinjve të vendit të formojnë zinxhirë njerëzorë rreth termocentraleve të vendit, të cilat Presidenti Trump po kërcënon t'i bombardojë me ultimatumin e së mërkurës që po skadon për Teheranin.

Presidenti amerikan kishte theksuar në një konferencë për shtyp se brenda katër orëve nga skadimi i ultimatumit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, të gjitha urat dhe termocentralet do të shkatërrohen.

Ndërsa sot Trump përsëriti afatin, deri në orën 01:00 të së mërkurës, duke thënë se: “Një civilizim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u rikthyer kurrë më.”

Sakaq në Teheran zyrtarët qeveritarë u kanë bërë thirrje studentëve, artistëve dhe atletëve të formojnë mburoja njerëzore rreth këtij orari.

“Termocentralet, të cilat janë pasuri dhe kapital kombëtar, pavarësisht nga çdo pikëpamje politike, i përkasin të ardhmes së Iranit dhe të rinjve të Iranit”, tha Alireza Rahimi, sekretar i Këshillit Suprem të Rinisë dhe Adoleshentëve, në një video të transmetuar në televizionin shtetëror.

Ai shprehu shpresën se “me pjesëmarrjen e të rinjve në të gjithë vendin, ky zinxhir njerëzor do të formohet rreth termocentraleve dhe do të jetë një shenjë e angazhimit të të rinjve për të mbrojtur infrastrukturën e vendit dhe për të ndërtuar një të ardhme të ndritur”.

Një video e ndarë nga agjencia e lajmeve Fars tregon njerëz që mbanin një flamur të madh iranian përgjatë urës ikonike Pol Sefid, një urë me hark në Ahwaz, në jugperëndim të vendit.

Një video tjetër pretendonte të tregonte një "zinxhir studentësh" në Urën e Vjetër historike në Dezful, në jugperëndim të Iranit, ndërsa një imazh tjetër tregon disa njerëz që qëndrojnë jashtë termocentralit Shahid Rajaee pranë Teheranit.

Po ashtu pamje të tjera tregojnë një grupim njerëzish që mbajnë pankarta jashtë termocentralit në Tabriz, në veri të vendit.

Foto: X

Nuk është e qartë se sa të organizuara janë tubimet ose nëse ato janë vërtet të lidhura drejtpërdrejt me kërkesën e mëparshme të zyrtarit për të formuar "zinxhirë njerëzorë".

Sakaq, edhe pse Trump kishte kërcënuar dje se do të bombardonte Iranin dhe do ta kthente atë “në epokën e gurit”, ai përsëri tha se nuk donte të shënjestronte infrastrukturën e vendit.

“A dua ta shkatërroj infrastrukturën e tyre? Jo”, tha ai, duke shtuar se “do t'u duhen 100 vjet për ta rindërtuar tani”.

“Nëse ne ikim sot nga aty, atyre do t'u duhen 20 vjet për ta rindërtuar vendin e tyre, dhe nuk do të jetë kurrë aq i mirë sa ishte”, tha Trump me këmbëngulje.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)