Britania i heq 15 mln dollarë nga duart, Kanye West i ndalohet hyrja nga Londra

Britania e Madhe i ka ndaluar hyrjen në vend artistit amerikan Kanye West, duke i ndalur kështu edhe pjesëmarrjen si artisti kryesor në Wireless Festival, ku do të fitonte 15 milionë dollarë duke performuar në tre netë.

Burimi: Daily Mail

07.04.2026. 22:47

Britania i heq 15 mln dollarë nga duart, Kanye West i ndalohet hyrja nga Londra

Live Nation, organizatori më i madh i koncerteve në botë, kaloi muaj të tërë duke planifikuar rikthimin në skenë të Kanye West, duke investuar miliona dollarë për ta sjellë atë si artist kryesor në Wireless Festival.

Por projekti ambicioz përfundoi në dështim pasi artistit ju ndalua të hynte në Britaninë e Madhe dhe u përjashtua nga eventi.

Sipas një burimi të Daily Mail, drejtues të Live Nation udhëtuan nga Los Anxhelosi drejt Meksikës për të parë performancën e Kanye West dhe për ta bindur të rikthehej në Evropë.

“Live Nation përgatiti një paketë të madhe me shfaqje globale, përfshirë Wireless. Ata u paralajmëruan se do të ishte çmenduri ta vendosnin në skenë në Haringey, kaq afër një komuniteti të madh hebre në veri të Londrës, por nuk dëgjuan”, tha burimi i medias britanike.

Sipas të njëjtit burim, përpara marrëveshjes me festivalin, organizatorët kishin tentuar të siguronin stadiume të mëdha në Londër, përfshirë Tottenham Hotspur Stadium dhe London Stadium, por të dyja i refuzuan kërkesat. U shqyrtua edhe Twickenham Stadium, por u konsiderua i papërshtatshëm për profilin e artistit.

“Ai kërkoi dhe mori 15 milionë dollarë për të performuar tre netë në Wireless. Në atë moment ata ende nuk kishin siguruar një artist kryesor. Live Nation beson se mund t’i rikuperojë paratë, pasi kontrata e vendos përgjegjësinë për vizën te artisti”, shtoi burimi.

Megjithatë, edhe nëse një pjesë e shumës rikuperohet, humbjet pritet të jenë të mëdha.

Industria beson se Wireless Festival mund të mos zhvillohet fare në vitin 2026, për shkak të mungesës së një artisti kryesor. Sipas burimeve, kjo mund të çojë në një humbje deri në 30 milionë dollarë, një goditje e rëndë për eventin.

“Kjo është një nga rrëmujat më të mëdha që kanë bërë që nga Covid. Tregon sa arrogantë dhe të shkëputur janë. Menduan se do t’ia dilnin pa pasoja, por kjo nuk ndodhi”, tha një tjetër burim.

Ai shtoi gjithashtu se strategjia e njohur e Kanye për të shkaktuar polemika dhe më pas për t’u rikthyer me kërkimfalje nuk funksionon më.

“Kanye bën gjithmonë të njëjtën gjë… shkakton ofendim të madh, zhduket për një kohë dhe kthehet me një album dhe një kërkim falje. Por këtë herë, ishte shumë pak dhe shumë vonë.”

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)