100 sulme në 10 minuta, Izraeli bën 'shkrumb e hi' qytete të tëra në Liban, qindra viktima

Izraeli e përshkroi atë si valën më të madhe të sulmeve ajrore në këtë konflikt, duke goditur më shumë se 100 objektiva, të i quajti qendra komande të Hezbollahut dhe baza ushtarake.

Burimi: BBC

08.04.2026. 19:15

100 sulme në 10 minuta, Izraeli bën 'shkrumb e hi' qytete të tëra në Liban, qindra viktima

Armpërushimi mes Iranit dhe SHBA-ve nuk vlen për pjesën tjetër të Lindjes së Mesme. Këtë e tregojnë më së miri sulmet e sotme të ushtrisë izraelite, me IDF-në që ka nisur një valë të re goditjesh nga ajri në të gjithë Libanin, teksa ka raportime për një numër të madh viktimash në të gjithë vendin, spitale të mbingarkuara dhe njerëz që besohet se janë nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Izraeli e përshkroi atë si valën më të madhe të sulmeve ajrore në këtë konflikt, duke goditur më shumë se 100 objektiva, të i quajti qendra komande të Hezbollahut dhe baza ushtarake.

Sulmi u realizua në vetëm 10 minuta dhe besohet të jenë lëshuar mbi 600 bomba në periferitë jugore të Bejrutit, Libanin jugor dhe Luginën lindore Bekaa.

Kjo ndodhi disa orë pasi zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, mohoi pohimin e Pakistanit, i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e një armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit, se marrëveshja mbulonte edhe konfliktin shkatërrues në Liban.

Izraeli gjithashtu ka intensifikuar sulmet e tij ajrore në Libanin lindor, me sulme të shumta të raportuara në qytetet bregdetare të Tiros dhe Sidonit. Deri më tani, ka raportime për një sulm ajror në një funeral në një fshat në Libanin lindor që vrau 10 persona. Po ashtu gjashtë persona u vranë në Sidon, tre në Bejrutin perëndimor, tre vajza në qytetin bregdetar të Adlou dhe dy viktima u regjistruan në Luginën e Bekaa-s.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze, 112 persona kanë humbur jetën dhe 837 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite të së mërkurës.

Jan Egeland, kreu i Këshillit Norvegjez për Refugjatët (NRC), thotë se kolegët e tij po “raportojnë skena të tmerrshme shkatërrimi masiv dhe shumë të plagosur” mes bombardimeve në Liban.

 “Izraeli dhe Hezbollahu duhet të angazhohen për të ndaluar sulmet e tyre dhe Izraeli duhet të tërhiqet nga fshatrat dhe territori libanez që aktualisht pushton”, shkroi ai në X.

Egeland shtoi se ndërsa marrëveshja e armëpushimit SHBA-Iran ofron “një pushim të mirëpritur për civilët në të gjithë Iranin, Gjirin dhe më gjerë”, ajo nuk duhet të “shërbejë si një dritare shprese jetëshkurtër përpara një rifillimi të dhunës”.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen për t’i dhënë fund armiqësive në të gjithë rajonin përtej kësaj marrëveshjeje dyjavore. Libani gjithashtu duhet të përfshihet”, tha ai.

Sakaq, një zyrtar i lartë iranian i tha Al Jazeera-s se Teherani do ta “ndëshkojë Izraelin në përgjigje të krimit që kreu në Liban dhe shkeljes së kushteve të armëpushimit”.

“Armëpushimi vlen për rajonin dhe Izraeli është i njohur për shkeljen e premtimeve të tij dhe vetëm plumbat do ta parandalojnë atë”, tha zyrtari Iranian.

Sakaq, agjencia e lajmeve Fars e Iranit, duke cituar një burim ushtarak të paidentifikuar, tha se Irani po përgatiste një përgjigje ndaj shkeljes së armëpushimit nga Izraeli.

Gjatë konfliktit të këtij muaji në të gjithë Libanin janë vrarë më shumë se 1,500 njerëz, përfshirë 130 fëmijë.

Më shumë se 1.2 milion njerëz janë zhvendosur, çka përbën 1/5 e popullsisë, shumica e tyre nga komunitetet myslimane shiite në jug, Luginën lindore Bekaa dhe periferitë jugore të Bejrutit, zona ku Hezbollahu ka ndikim.

Fshatrat pranë kufirit janë shkatërruar, ndërsa trupat pushtuese izraelite synojnë të krijojnë atë që autoritetet në Tel Aviv e quajnë një zonë tampon sigurie, për të shkatërruar infrastrukturën e Hezbollahut dhe për të larguar luftëtarët e tij. Kjo ka ngritur shqetësime se disa zona mund të jenë të pushtuara edhe pas përfundimit të luftës, dhe se shumë banorë mund të mos jenë kurrë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre.

Pas njoftimit të një armëpushimi në luftën midis SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, e cila kishte filluar në fund të shkurtit, presidenca libaneze tha se do të vazhdonte "përpjekjet për të përfshirë Libanin në paqen rajonale"

Hezbollahu, i cili nuk ka marrë përsipër asnjë sulm që nga njoftimi i marrëveshjes, tha se grupi ishte në "pragun e një fitoreje të madhe historike" dhe i paralajmëroi familjet e zhvendosura të prisnin për një njoftim zyrtar të armëpushimit përpara se të përpiqeshin të ktheheshin në shtëpi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)