Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion kundër veprimtarisë së paligjshme të call center, ku viktima të mashtrimit ishin shtetas të huaj, të cilëve u premtoheshin fitime përmes investimeve në bursa të rreme.
Si rezultat i ndërhyrjes së policisë, janë arrestuar dy persona, ndërsa 12 të tjerë janë proceduar penalisht dhe janë vënë nën hetim, pasi dyshohet se punonin si operatorë në këtë call center. Sipas uniformave blu, në pranga kanë rënë Argest Rushi dhe Leonard Maksutaj.
Ata dyshohet se administronin aktivitetin për mashtrimin, në një apartament të marrë me qira, i përdorur si ambient pune. Nga hetimet paraprake rezulton se apartamenti ishte marrë me qira nga Argest Rushi, i cili në bashkëpunim me Leonard Maksutajn e kishte kthyer atë në bazë operacionale, me qëllim zhvillimin e kësaj skeme të kundërligjshme, ku shtetas të huaj bindeshin të investonin para në platforma fiktive financiare.
NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT:
Goditet një tjetër rast i mashtrimit ndërkombëtar nëpërmjet bursave fiktive. Zbulohet gjatë operacionit policor të koduar “Fasada” një apartament i kthyer në call center. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë. Vihen në pranga 2 shtetas, të cilët administronin ambientin e përshtatur për call center, përmes të cilit mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.
Procedohen në gjendje të lirë 12 shtetas (operatorë). Sekuestrohen 19 njësi kompjuterike, 2 aparate celularë dhe 1 DVR. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, pas informacioneve të siguruara së fundmi, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fasada”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në apartamentin në rrugën “Sulejman Delvina”, i cili ishte përshtatur si call center, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit A. R. dhe L. M., si dhe 12 operatorë, të cilët mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive. Nga hetimet rezultoi se apartamenti ishte marrë me qira nga shtetasi A. R., i cili, në bashkëpunim me shtetasin L. M., e administronte këtë ambient me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u vunë në pranga shtetasit A. R., 44 vjeç, dhe L. M., 26 vjeç, administratorë të ambientit. Si dhe u proceduan penalisht 12 shtetas, operatorë, të cilët u kapën në flagrancë në apartament, gjatë ndërhyrjes nga Policia. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të paligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të goditur çdo formë të kriminalitetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, si dhe për të mbrojtur qytetarët, brenda dhe jashtë vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)