Një nga biznesmenët më të fuqishëm rusë ka propozuar një zgjidhje të fortë për krizën ekonomike, duke sugjeruar rritjen e orarit të punës deri në 12 orë në ditë dhe gjashtë ditë në javë.
Bëhet fjalë për miliarderin Oleg Deripaska, themelues i gjigantit të aluminit Rusal, i cili ka deklaruar se një model i ri pune mund të ndihmojë Rusinë të përballojë më shpejt vështirësitë ekonomike. Përmes rrjeteve sociale, ai theksoi se në periudha të vështira vendi duhet të rrisë angazhimin. “Në momentet e vështira, ne dimë si të rimëkëmbehemi dhe të punojmë më shumë”, është shprehur ai.
Sipas tij, aplikimi i një orari nga ora 08:00 deri në 20:00, përfshirë edhe të shtunën, do të përshpejtonte procesin e përshtatjes ekonomike. Kjo do të nënkuptonte një javë pune prej 72 orësh.
Deklaratat e Deripaskës vijnë në një kohë kur ekonomia ruse përballet me sfida të shumta, përfshirë tensionet gjeopolitike, ndryshimet në tregtinë globale dhe ndikimin e vazhdueshëm të luftës në Ukrainë, si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme që prekin sektorë si energjia dhe furnizimi me armë.
Miliarderi ka paralajmëruar gjithashtu se konflikti në Lindjen e Mesme mund të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike globale, pavarësisht rritjes së çmimeve të naftës. Sipas tij, Rusia përballet me mungesë burimesh dhe duhet të rrisë ndjeshëm produktivitetin për të kapërcyer ngadalësimin ekonomik të shkaktuar nga sanksionet dhe politikat e Bankës Qendrore.
Oleg Deripaska, i lindur në vitin 1968 në Dzerzhinsk, konsiderohet një nga oligarkët më me ndikim në Rusi në dekadat e fundit. Ai ndërtoi perandorinë e tij në industrinë e aluminit pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe në vitin 2008 ishte njeriu më i pasur në vend.
Sipas revistës Forbes, pasuria e tij vlerësohet rreth 7.2 miliardë dollarë, duke u renditur i 510-ti në botë për vitin 2026. Ai mban shtetësi ruse dhe qipriote dhe është ndër biznesmenët rusë më të sanksionuar nga Perëndimi, për shkak të lidhjeve me qeverinë ruse.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)