Braho në krye të SPAK, Rama falenderon Dumanin: Mbështetje e palëkundur për drejtuesin e ri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zgjedhjes së Klodian Brahos si drejtues i ri i SPAK, duke e përgëzuar për marrjen e detyrës dhe duke i uruar sukses në krye të institucionit.

11.12.2025. 18:25

Braho në krye të SPAK, Rama falenderon Dumanin: Mbështetje e palëkundur për drejtuesin e ri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zgjedhjes së Klodian Brahos si drejtues i ri i SPAK, duke e përgëzuar për marrjen e detyrës dhe duke i uruar sukses në krye të institucionit. Braho u zgjodh sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 7 vota pro, në garë me tre kandidatët e tjerë, ndërsa mandati i tij trevjeçar nis më 19 dhjetor, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit. 

Në një mesazh në platformën “X”, kryeministri vuri në dukje rëndësinë e vijimësisë së punës së SPAK dhe falënderoi kreun aktual të institucionit për rezultatet e arritura.

“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij”, shkroi Rama. 

Ai theksoi se mbështetja politike ndaj institucionit do të mbetet e pandryshuar. 
“SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”, deklaroi kreu i qeverisë. 

Me emërimin e Brahos, SPAK hyn në fazën e tij të tretë të drejtimit, ndërsa pritet që institucioni të vijojë punën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me të njëjtën intensitet. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)