Prej orës 09:00 të mëngjesit kur mbledhja e KLP-së për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, e deri në momentin e votimit, ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato ishte i pranishëm aty, në krah të përfaqësues së ambasadës së SHBA, Nancy Vanhorn dhe ambasadorit britanik, Nicholas Abbot.
Në mbylljes të saj, pak pasi Klodian Braho me 7 vota u zgjodh drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme, Gonzato u kujdes që të përcillte një mesazh të shkurtër.
Përmes mikrofonëve të mediave ai përgëzoi Brahon për marrjen e detyrës dhe theksoi rëndësinë që ka SPAK në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke nënvizuar se posti i kreut të këtij institucioni kërkon integritet të lartë dhe pavarësi.
“Kemi ardhur këtu të tregojmë mbështetjen tonë për KLP, por edhe për të treguar interes në procedurën e emërimit. SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Është një nga kërkesat kyçe për në BE”, u shpreh Gonzato.
Gonzato më tej la të ditur edhe atë çka ndërkombëtarët presin nga SPAK. “Ajo që kërkojmë është që kreu i SPAK të vijojë punën e tij dhe një kandidat që të kishte nivele shumë të larta integriteti e standarde që kanë të bëjnë me përafrimin e Shqipërisë në BE. Përgëzoj zotin Braho për detyrën e re dhe mezi presim bashkëpunimin për ditët në vijim”, deklaroi ai.
Klodian Braho do të pasojë Altin Dumanin në krye të SPAK, ndërsa pritet të nisë zyrtarisht detyrën më 19 dhjetor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)