Gjykata Kushtetuese rrëzon GJKKO-në, kthen në detyrë zv/kryeministren Belinda Balluku

Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në detyrë zv/kryeministren Belinda Balluku dhe me shumicë votash ka kaluar për shqyrtimin ankimimin e Këshillit të Ministrave për pezullimin nga detyra të saj nga Gjykata e Posaçme.

12.12.2025. 17:17

Gjykata Kushtetuese rrëzon GJKKO-në, kthen në detyrë zv/kryeministren Belinda Balluku

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të rikthejë në detyrë zv/kryeministren dhe ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku. Togat e zeza me shumicë votash kanë pezulluar vendimin e marrë më 20 nëntor nga Gjykata e Posaçme, e cila po ashtu i kishte ndaluar Ballukut edhe të drejtën e daljes jashtë vendit.

“Vendosi pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës”, thuhet në komunikatën e Kushtetueses.

Po me shumicë votash trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që të kalojnë për shqyrtim në seancë plenare publike ankimin e kryeministrit Edi Rama duke e pranuar atë si palë në këtë çështje.

Seanca përkatëse për rastin do të zhvillohet më 22 janar, në një seancë publike që do të nisë në orën 10:00. Kushtetuesja do të vlerësojë nëse GJKKO e ka fuqinë apo jo të pezullojë një anëtar të Këshillit të Ministrave.

"Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës", thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mbledhja kishte qenë planifikuar fillimisht të zhvillohej më 4 dhjetor, por u shty për sot me arsyetimin e kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, ngarkesës së agjendës së Gjykatës Kushtetuese, si dhe kërkesave të disa prej anëtarëve të saj.

Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu edhe të drejtën e daljes jashtë vendit.

Belinda Balluku është marrë e pandehur në lidhje me procedurat e tenderit për tunelin e Llogorasë dhe po hetohet edhe për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe, ku dyshohet se fituesit janë paracaktuar.

Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

Në datën 12.12.2025, Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese mori në shqyrtim paraprak çështjen nr. 30 (K) 2025 të Regjistrit Themeltar, datë 21.11.2025, me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Shfuqizimi i vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.“.

Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:

Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.

Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

Njëzëri, mospranimin e kërkesave të partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës jofitimprurëse “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse. Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se këto dy subjekte nuk justifikojnë interesin kushtetues, pasi mosmarrëveshja kushtetuese në shqyrtim ka të bëjë me konflikt kompetencash dhe në të marrin pjesë vetëm subjektet që janë në konflikt, në kuptimin që janë pjesë e organeve të ushtrojnë kompetencën kushtetuese për të cilën ka lindur konflikti.

Njëzëri, në zbatim të nenit 27, pika 3, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit në rast se pranohet kërkesa për pezullim, data e seancës plenare caktohet në datën më të afërt të mundshme, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme, caktimin e seancës plenare publike në datën 22.01.2026, ora 10:00.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)