ARRSH vendos prishjen e urës në aksin Librazhd-Pogradec, Kozeli: Reshjet e shiut dhe erozioni dëmtuan rrugën
Pas dëmtimit dhe bllokimin e aksit Librazhd-Prrenjas dhe bypassit të ri, kreu i ARRSH-së Ami Kozeli tha në një deklaratë për mediat se reshjet intensive dhe erozioni janë shakatarët kryesorë për shkatërrimin e këtij aksi rrugor në nyjen e njohur si "Arrat e Gurrës".
Drejtuesit e Autoriteti Rrugor dhe Hekurudhës Shqiptare dolën në një konferencë për mediat për të sqaruar situatën e krijuar pas dëmtimit dhe bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas dhe bypass-it të ri, si pasojë e rrëshqitjeve masive të dheut.
Kreu i ARRSH, Ami Kozeli, deklaroi se nga analiza paraprake rezulton se shkaku kryesor i situatës janë kushtet e pafavorshme atmosferike dhe faktorët gjeologjikë.
“Nga analiza e kryer rezulton se shkaku kryesor i kësaj situate mbetet ndikimi i reshjeve intensive dhe të shtrira në kohë të gjatë, erozioni lumor, si dhe saturimi masiv i tokës, gjë që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive dhe pamundësi për ndërhyrje të menjëhershme derisa të merren rezultatet e raportit gjeologjik”, u shpreh Kozeli.
Ai bëri të ditur se në mbledhjen e përbashkët të Këshillit Teknik mes ARRSH dhe Hekurudhës Shqiptare, me pjesëmarrjen e ekspertëve të gjeologjisë dhe projektimit, janë marrë disa vendime konkrete për përballimin e emergjencës.
“Ndërtimi i një rruge alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin për të mundësuar kalimin e trafikut deri në stabilizimin e plotë të rrëshqitjes. Prishja e urës ekzistuese, tashmë jashtë funksionit dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës së rrëshqitur, deri në krijimin e një skarpate natyrale që do mundësojë ndërhyrjen me mjetet e shpimit. Është vendosur sistemi dhe disiplinimi i të gjithë ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes, devijimi i rrjedhës së lumit që aktualisht godet trupën e hekurudhës, për të garantuar mbrojtjen e saj”, deklaroi ai.
Foto: Newsmax Balkans
Më tej, kreu i ARRSH-së u shpreh se zona në fjalë është përballur prej vitesh me një proces të vazhdueshëm erozioni.
“ARRSH ka një mobilizim total për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të sigurt për këtë aks. Aksi i ri parashikohet të ketë një gjatësi minimale prej 1.3 kilometrash, por për momentin nuk mund të japim një afat konkret kohor për përfundimin e tij. Sa i përket çështjes së marrjes së inerteve, vazhdoj ta përgënjeshtroj pretendimin se fenomeni ka ndodhur si pasojë e kësaj. Ka pasur një kontroll nga IKMT, i cili ka verifikuar dokumentacionin përkatës dhe nuk ka konstatuar asnjë shkelje nga ana e kontraktorit të ngarkuar me punimet. Në atë zonë kemi të bëjmë me një erozion të vazhdueshëm ndër vite. Në 2015 distanca mes trupit lumor dhe shinave të trenit ishte 35 metra, ndërsa në 2023 ajo ishte reduktuar në 17 metra”, u shpreh ai.
Sipas Kozelit, aksi Librazhd–Prrenjas ka rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë sapo të garantohet stabiliteti i zonës.
Deklarata nga drejtori i Autoritetit Rrugor, Ami Kozeli. Situata po monitorohet dhe do të ndërmerren të gjitha masat për rikonstruksionin e segmentit të prekur.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar ndalimin e plotë të qarkullimit në aksin Librazhd-Pogradec, pas problematikave me rrëshqitjen e dherave, në vendin e quajtur 'Arrat e Gurrës'.
ARRSH ka njoftuar bllokimin e lëvizjes për autobusët dhe mjetet e tonazhit të rëndë në aksin Librazhd–Pogradec, në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, për shkak të rrëshqitjes së dheut.
Nga ana tjetër, kreu i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, theksoi se strukturat janë në terren dhe po punojnë për zgjidhje afatshkurtra dhe afatgjata.
“Të gjitha strukturat tona janë në terren, kanë marrë masat e nevojshme dhe ne do të marrim hapat tona edhe për krijimin e rrugës permanente. Do të marrim masat për mobilizimin dhe mënjanimin e ujërave në atë shtrat. Shpresojmë që shirat të na ndihmojnë dhe të mos jenë prezent në kohën që operojnë. Theksoj që gjithë rrugët apo hekurudhat marrin drejtim nga konsulencat që kemi. Konsulenca që bën hekurudhën është një nga kompanitë më të mëdha. Do të përgatiten projekte të strukturuara”, u shpreh Verdho.
Të dy drejtuesit po ashtu bën apel për mirëkuptim nga qytetarët, ndërsa punimet për rrugën alternative pritet të nisin menjëherë, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të lëvizjes normale në këtë nuje kyçe për lidhjen e Juglindjes me pjesën tjetër të vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin francez Emmanuel Macron me të cilin bisedoi tema të ndryshme nga siguria e kufijve tek rritja e kapaciteteve mbrojtëse.
Kryeministri Rama zhvilloi një takim me socialistët e njësisë nr.2 në Tiranë, ku foli për rrogat dhe pensionet dhe situatën ku ndodhet ekonomia për shkak të luftës në Iran dhe ndikimeve të saj.
Në këtë nismë pritet të angazhohen drejtues të qeverisë, deputetë dhe kryetarë bashkish, të cilët do të zbresin në terren për të prezantuar punën e bërë dhe për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.
Radhët e gjata rikthehen në Kapshticë, pasi pala greke ka nisur identifikimin elektronik, fotografimin dhe marrjen e shenjave të gishtave të kujtdo që hyn në territorin e saj.
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin antidrogë "Night Clubs" ku ka identifikuar 11 administratorë lokalesh që shpërndanin drogë ekstazi.Nga 11 masa sigurie janë ekzekutuar 9 prej tyre, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Komente (0)