Policia në Shijak ka zbuluar një magazinë të përshtatur si “shtëpi bari”, ndërsa në pranga kanë rënë katër persona, mes tyre edhe një punonjës i OSHEE-së.
Operacioni policor i koduar “Përshtatja”, çoi në zbulimin e ambientit në lagjen “Popullore”, i cili ishte përshtatur posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Gjatë kontrollit, efektivët konstatuan 180 vazo ku më parë ishin kultivuar bimë kanabisi, si dhe boçe dhe mbetje të dyshuara narkotike. Në magazinën që furnizohej me energji elektrike përmes një lidhjeje të paligjshme u gjetën gjithashtu pajisje të sofistikuara për kultivim, përfshirë llamba elektrike, ventilatorë, sisteme ajrimi dhe ujitjeje.
Në përfundim të operacionit, policia arrestoi në flagrancë katër shtetas. Dy prej tyre dyshohen për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim, një për moskallëzim krimi, ndërsa një 61-vjeçar, punonjës i OSHEE-së, akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk kishte raportuar lidhjen e paligjshme të energjisë.
Sipas hetimeve paraprake, ambienti ishte marrë me qira dhe ishte përshtatur për këtë veprimtari të paligjshme nga disa prej të arrestuarve në bashkëpunim me persona të tjerë.
Ndërkohë, një 25-vjeçar është shpallur në kërkim dhe dyshohet si një nga organizatorët e aktivitetit kriminal. Policia vijon punën për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)