Zgjati vetëm një ditë çmimi i ulët i hidrokarbureve në Shqipëri, pasi 24 orë pas vendimit të parë, Bordi i Transparencës u mblodh sërish ditën e djeshme për të ngritur çmimet.
Nga 203 lekë për litër çmimi i naftës ‘fluturoi’ në 218 lekë/litri, ndërsa benzina do të tregtohet me 181 lekë.
Këtë rritje me 15 lekë të çmimit të naftës brenda 24 orëve e ka komentuar në podcastin e tij ‘Flasim’, edhe kryeministri Edi Rama, duke mbrojtur vendimet e Bordit të Transparencës, të cilat nuk i cilëson arbitrare ashtu siç qytetarët kanë zgjedhur ta kritikojnë në rrjetet sociale.
Sipas Ramës çdo vendim për rritjen ose uljen e çmimit të hidrokarbureve bëhet duke analizuar bursën dhe Bordi u aktivizua me qëllim, parandalimin e abuzimit me çmimin e naftës nga kompanitë furnizuese në Shqipëri.
"Sipas dhënave të bursës së Mesdheut, në ditët e fundit pati një ulje të çmimeve të nënprodukteve kryesore të naftës dhe, në përputhje me këtë zhvillim, Bordi i Transparencës reflektoi menjëherë edhe uljen e çmimit në vend, duke bërë atë që ka detyrë të bëjë: përcaktimin e çmimeve tavan dhe pamundësimin e abuzimit me situatën në dëm të konsumatorit. Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se ky mekanizëm lidh drejtpërdrejt çmimet në Shqipëri me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe jo me vendime të njëanshme të operatorëve vendas. Kjo do të thotë që, në varësi nga lëvizja e çmimit në bursë, Bordi qëndron vijimësisht në anën e konsumatorëve, e drejtuesve të mjeteve, e qytetarëve dhe ruan kufijtë e qartë mes çmimit të rritur objektivisht si rezultat i lëvizjes në tregun ndërkombëtar, prej ku edhe importohet nafta në Shqipëri, dhe, nga ana tjetër, abuzivitetit që, në këto raste, nëse gjen shesh, bën gjithmonë përshesh. E theksoj edhe njëherë, Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin e naftës duke vënë në rrezik vetë kapacitetet e furnizimit, por thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e çmimit dhe nuk u lejon operatorëve që të luajnë pas kurrizit të konsumatorëve. Roli i tij është të sigurojë transparencë dhe, nga ana tjetër, të jetë gjithmonë në vëmendje për të mos lejuar edhe shkelje të vendimeve të tij, të cilat pastaj shoqërohen me masa të menjëhershme deri në pezullimin e aktivitetit për operatorët që nuk respektojnë rregullat”, tha Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)