PS ndez motorët e fushatës për 2027-n, Rama zbërthen “Punët e Shqipërisë”: Takime në çdo qark!

Edi Rama ka diskutuar me ministrat dhe grupin parlamentar të PS-së hapat e ardhshëm politikë, duke vendosur theksin tek nisja e një fushate të gjerë komunikimi me qytetarët. Kjo fushatë që do të shtrihet në të gjithë vendin mban sloganin “Punët e Shqipërisë” dhe është një tur takimesh në çdo qark.

29.03.2026. 10:54

PS ndez motorët e fushatës për 2027-n, Rama zbërthen “Punët e Shqipërisë”: Takime në çdo qark!

Partia Socialiste ka ndezur motorët për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe këtë e ka konfirmuar kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim”, ku në mbyllje konfirmoi nisjen e një turi takimesh me qytetarët në çdo qark të vendit.

Ashtu siç u mësua dje nga mbledhja e socialistëve, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Rama ka diskutuar me ministrat dhe grupin parlamentar të PS-së hapat e ardhshëm politikë, duke vendosur theksin tek nisja e një fushate të gjerë komunikimi me qytetarët.

Kjo fushatë që do të shtrihet në të gjithë vendin mban sloganin “Punët e Shqipërisë” dhe siç Rama sqaroi sot në podcast, do të përfshijë konsultime me çdo komunitet. Shefi i qeverisë sqaroi se me qytetarët do të diskutohen punët e nisura në mandatin e katërt dhe ligjvënësit do të dëgjojnë çdo problematikë nga terreni.

“Në mbyllje të shënimeve, dua të nënvizoj se kemi hyrë tanimë në një fazë të re komunikimi më të drejtpërdrejtë dhe natyrisht në të gjithë territorin, ku do të angazhohemi me një cikël takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet për të folur për këtë moment të rëndësishëm të vendit, për punët që kanë nisur në këtë mandat të katërt, për punët që do të nisin së shpejti dhe natyrisht për të dëgjuar njerëzit.

Dhe në funksion të organizimit, që si gjithmonë ne e nisim me kohë për atë që do të jetë fitorja e ardhshme shembullore e Partisë Socialiste vitin e ardhshëm në zgjedhjet vendore. Në këto takime do të flasim për punët e Shqipërisë, do të flasim për çka po ndërtojmë, do të flasim për çka shohim si pengesa për t’u kapërcyer.

Do të flasim për gjithçka që njerëzit do të duan të ndajnë me ne apo duan të dëgjojnë nga ne. Dhe patjetër do të ndajmë me njerëzit ato që janë sfida tërësisht të përbashkëta, ku natyrisht përgjegjësia kryesore i takon, dhe s’ka sesi të jetë tjetër, qeverisë”, tha ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)