“Jam palë, nuk e mbyll gojën”, Rama i përgjigjet Shoqatës së Gjyqtarëve për çështjen ‘Balluku’

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ashpër Shoqatës së Gjyqtarëve, pas reagimit të tyre në lidhje me çështjen “Balluku”, ku e evidentuan si presion ankimimin e vendimit të GJKKO, në Gjykatën Kushtetuese nga ana e shefit të qeverisë.

09.12.2025. 10:53 >> 11:06

“Jam palë, nuk e mbyll gojën”, Rama i përgjigjet Shoqatës së Gjyqtarëve për çështjen ‘Balluku’

Reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve në lidhje me çështjen “Balluku”, ku e cilëson si presion lëvizjen e kryeministrit Edi Rama për të çuar në Kushtetuese vendimin e GJKKO, i ka lënë shije të hidhur kreut të ekzekutivit.

Rama përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, shprehet se Shoqata e Gjyqtarëve me shumë gjasë nuk e di kuptimin e fjalës presion dhe u bën thirrje që të mos presin që shefi i qeverisë të mbyllë gojën duke mos reaguar në këtë rast.

“Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu: Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta – madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti. Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore”, shkruan Rama.

Në vijim kryeministrin nuk kursenë ironinë ndaj Shoqatës së Gjyqtarëve, duke ju kujtuar kërkesën për rritjen e pagave që kanë dorëzuar ata më parë në Kushtetuese.

Por Rama nënvizon në reagimin e tij se mbetet i hapur për të diskutuar me Shoqatën, mbi parimet e drejtësisë së re dhe për të punuar me ta për pavarësinë e gjyqësorit.

“Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit. Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.

Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia”, shkruan më tej kreu i ekzekutivit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)