Seanca për Ballukun, ‘Mundësia’ proteston para Kushtetueses, Shehaj: Gjykata të mos përdoret nga Rama

Partia "Mundësia" e drejtuar nga Agron Shehaj ka zhvilluar një protestë para Gjykatës Kushtetuese, teksa aty zhvillohet seanca për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku. Shehaj tha për mediat se kanë dorëzuar 20 mijë firma për të kërkuar që t'i jepet fund pandëshkueshmërisë.

22.01.2026. 10:26

Seanca për Ballukun, ‘Mundësia’ proteston para Kushtetueses, Shehaj: Gjykata të mos përdoret nga Rama

Teksa në Gjykatën Kushtetuese është duke u zhvilluar seanca për çështjen “Balluku”, jashtë ambienteve të saj, Partia Mundësia ka zhvilluar një protestë, ku drejtuesi i saj, Agron Shehaj, ka kërkuar t’i hapet rruga përballjes së zv/kryeministres me drejtësinë.

Shehaj tha se ai ka dorëzuar në Kushtetuese 20 mijë firma qytetarësh në mbështetje të luftës kundër korrupsionit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Kreu i Partisë Mundësia u shpreh se qytetarët janë në krah të drejtësisë dhe kundër ndërhyrjeve politike.

“Populli shqiptar është me drejtësinë kundër korrupsionit, që të mos dëgjohen vetëm lobimet e politikanëve të korruptuar”, deklaroi ai.

Shehaj akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorim të Gjykatës Kushtetuese në raste të mëparshme, duke përmendur rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Gjykata Kushtetuese u përdor një herë nga Rama në rastin e Veliajt, në një vendim skandaloz. Qëllimi i dorëzimit të 20 mijë firmave është të tregojmë se populli shqiptar është pro drejtësisë dhe ngre zërin për një Shqipëri ku pandëshkueshmëria merr fund”, tha ai.

Shehaj njoftoi gjithashtu se nisma do të vijojë me mbledhjen e më shumë firmave. “Do të mbledhim 100 mijë firma. Ato nuk kanë vlerë juridike, por simbolike, për të treguar se populli shqiptar është me drejtësinë dhe kundër korrupsionit. Ky është mesazhi që duam të përcjellim”, u shpreh Shehaj.

Duke iu referuar seancës në Gjykatën Kushtetuese, Shehaj theksoi se ky institucion nuk duhet të vihet në shërbim të interesave politike. Ai po ashtu e cilësoi të papranueshme ndërhyrjen e kryeministrit në këtë proces.

“Populli shqiptar i ka sytë nga drejtësia. Presim që Gjykata Kushtetuese të jetë me qytetarët, me drejtësinë dhe jo me të korruptuarit. Është e paimagjinueshme që një kryeministër t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të ndalojë pezullimin e një zëvendëskryeministreje, të kapur duke abuzuar me fondet e qytetarëve shqiptarë”, theksoi Shehaj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)