Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj opozitës gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste të mbajtur në Lushnjë, duke e akuzuar atë për përpjekje që, sipas tij, dëmtojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria ka bërë progres në negociatat për anëtarësim, duke hapur sipas tij të gjithë kapitujt brenda një periudhe të shkurtër prej 11 muajsh, një ritëm që ai e cilësoi si të paprecedentë për vendet e rajonit.
Kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe përvojat e vendeve fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke theksuar se pavarësisht konflikteve të brendshme politike apo sfidave të tjera, opozitat në këto vende nuk kanë vepruar kundër interesave kombëtare në arenën ndërkombëtare.
Në fund, kryeministri theksoi se, pavarësisht kritikave dhe tensioneve politike të brendshme, procesi i integrimit europian do të vijojë dhe sukseset e arritura deri tani nuk do të ndalen.
“Këtë me keqardhje them, e bëjnë vetëm ata, se s’mund të them ata që kemi përballë, se ne nuk i kemi përballë ata, ata i kemi mbrapa dhe i kemi gjithmonë e më mbrapa. I kemi gjithmonë e më mbrapa, por ama nuk ndodhin këto gjëra. Nuk dalin njerëzit kështu nga vetja të sakatojnë vendin e tyre në gjuhë të huaj, për nuk e di për çfarë.
Se unë nuk e kuptoj i gënjen mendja që do na mundin ne këtu duke dalë në televizor jashtë shtetit, do na mundin ne këtu duke shkuar në Bruksel duke lehur, i gënjen mendja, që do na ulin ne e do ngrenë veten. Sa më shumë ta bëjnë këtë gjë aq më shumë do zhyten se jo të gjithë janë të lumtur që Shqipëria po bën sukses“, tha Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)